
Kapiteni i të rinjëve të Fiorentinës, Erald Lakti, u thirr nga ekipi i parë në ndeshjen e fundit të Serisë A. Mesfushori shkodran cilësohet si një futbollist me të ardhme të madhe, që pritet të ketë hapësirën me skuadrën e njohur italiane për sezonin e ardhshëm.
Por ka pasur pak tymnajë për këtë rast, teksa Lakti do të shprehej për mediat italiane para disa kohësh, se ishte i pavendosur nëse do të vazhdonte me Shqipërinë, apo do të priste një ftesë të Italisë. E gjitha kjo i përket së shkuarës, pasi me fjalët e thëna për “Shkodrasport” që kanë bërë jehonë edhe në mediat italiane, vendimi është marrë:
“Unë mund të vendosja të luaja për Italinë, por vendosa për Shqipërinë, për shkakun e dëshirës së babait. Modeli im në lojë është Gatuzo, madje edhe kur luaj dua të jem paksa si Gatuzo. Kontratën te Fiorentina e kam deri në 2023 dhe besoj se një ditë do jem pjesë e tyre në ekip të parë”, ka thënë Lakti. /Shqiperia.ch/