You are here
Home > Kombëtarja > “Ka emrin e kryeheroit”, historia patriotike e Dërmakut: Ishte 3 vjeç, filmin e Skënderbeut e pa 500 herë

“Ka emrin e kryeheroit”, historia patriotike e Dërmakut: Ishte 3 vjeç, filmin e Skënderbeut e pa 500 herë

Gjiganti i prapavijës së Shqipërisë, Kastriot Dërmaku, është padyshim një nga shtyllat kryesore edhe te Kombëtarja e drejtuar nga ana e Rejës. Mbrojtësi në fjalë ka bërë hapa që janë vetëm për t’u duartrokitur, teksa kaloi nga Kosenza në ekipin e Parmës në Seria A.

Madje edhe në ato mundësi që i janë dhënë në elitën e futbollit italian, jo vetëm që presionin e ka përballuar, por ka qenë tek më të mirët në fushë. Ndoshta të gjithë iu bën disi kurioz emri i tij: “Kastriot”.

Po, është ajo që po mendoni. Babai ia ka vendosur emrin e heroit tonë kombëtar, ndërsa xhaxhai i Kastriotit, këtij futbollistit, na rrëfen për “Sport Ekspres” edhe një histori të padëgjuar. Aq shumë i dashuruar ishte Dërmaku me emrin që kishte, aqsa deri në moshën 3-vjeç e kishte parë mbi 500 herë filmin e Skënderbeut dhe i dinte të gjitha lëvizjet përmendësh.

E për t’i vendosur vulën frymës kombëtare sesi është rritur ky lojtar, na mjafton një mesazh i dërguar po nga xhaxhai i Kastriot Dërmakut, Albert Dërmaku. Teksa na dërgon përgjigjet e pyetjeve tona, kërkon edhe shumë ndjesë: “Shiko se mund të kemi bërë ndonjë gabim shpejtësie në ndonjë shkronjë dhe nuk më shkon mua, kërkoj falje, se kjo është gjuha e perëndive. Për këtë ka punuar edhe i madhi Petro Zheji, nuk lejohen gabimet gjuhësore sepse na ndëshkojnë Zotat”. Vetëm kaq mjafton për të kuptuar nivelin e lartë të frymës kombëtare e të edukimit që vjen nga kjo familje.

Përshendetje! Le të ndalemi pak te emri i Dërmakut, që na bën pak kurioz. Besojmë se ka qenë i frymëzuar nga heroi ynë kombëtar ndonjë pjesëtar i familjes suaj apo jo, që ia ka vendosur Kastriotit të vogël?

Po e vërtetë. Dua të them se emrin ia ka vendosur babai i tij dhe i frymëzuar nga kryeheroi ynë kombëtar, Skënderbeu. Duke ditur emrin e cilit personalitet mbante, e adhuronte dhe e kishte shikuar filmin e Skënderbeut mbi 500 herë dhe kur ishte vetëm 3-4 vjeç. E di që nuk do t’ju duket e besueshme, por është e vërtetë.

Jo, e tejkalon imagjinatën kjo. Pra televizori juaj nuk mund të lëvizte për të parë një tjetër program?

Po i dinte të gjitha lëvizjet e kryeheroit tonë, i dinte fjalët, i dinte edhe unazët që kishte në gishtat e tij Skënderbeu. Ngulitej në televizor si një statujë sepse e shikonte në kaseta VHS, ku mund të përsëritej filmi. Ndodhte që na e bllokonte televizorin vetëm me atë film.

Na tregon pak më gjatë për fëmijërinë dhe mënyrën e edukimit të Kastriot Dërmakut…

Edhe pse i lindur në Itali, që nga fëmijëria e hershme apo lindja le ta themi, e fliste shqipen sikur të ishte lindur në Kosovë. Kjo pasi babai i tij Luani, nuk lejonte që në shtëpi të flitej gjuha e italishtes. Sidomos me vëllain e tij Robertin dhe gjithmonë në shkollë thonin: “Jemi shqiptar”.

Me strukturën e fizikun që ka fare mirë mund të ishte edhe një basketbollist apo jo?

Të ndalojmë pak te fiziku. Deri në një moshë të re të caktuar ishte fare normal në këtë drejtim. Pastaj filloi të zgjatej ku në disa vite vazhdoi të bëhet si një lis. Për ilirët lisi ka qenë një dru i shenjtë. Gjithashtu Skënderbeu sipas historianëe dhe ekspertëve të armaturës, shpatës dhe rrobave të dhuruara nga Vatikani dhe mbreti i Napolit, rezultonte që të ketë qenë 1.95 cm. Po të njëjtën gjatësi ka edhe Kastriot Dërmaku. Epo rastësia është mbreti i botës.

E sa i përket lidhjes së tij me futbollin?

Kastrioti me futbollin është lindur se në shtëpi kishte vetëm topa futbolli. Babai i Kastriotit ishte lojtar profesionist dhe si qendër sulmues në ligën e parë të ish-Jugosllavisë për ekipin e Prishtinës nga 1984, në kohën e Fadil Vokrrit, Fadil Muriqit etj.

Pra duke parë gjithë këtë edukim kombëtar, mezi e keni pritur Dërmakun me fanellën e Shqipërisë?

Po kemi shpresuar dhe dëshiruar nga gjithë qënia jonë që të ndodhë diçka e tillë. Goli i Aliajt kundër Greqisë të bënë me një dëshirë të flaktë për ta ëndërruar këtë fanellë të shenjtë. Pastaj prezenca e lojtarëve të Kosovës si Cana, Hasi e shumë të tjerë që të shtyn të mendosh që edhe ne në Kosovë, ose siç quhet ndryshe Shqipëria Veriore, të japim kontributin tonë.

E keni ndjekur ndeshjen ndaj Islandës në stadium. Kur u realizua ai goli i parë, besoj se nuk jeni përmbajtur apo jo?

Në ndeshjen kundër Islandës isha unë, baba Luani dhe gjyshi Hilmiu. Golin nuk e kemi pritur që të ndodhte se islandezët ishin të fortë dhe të gjatë. Kur e futi topin në rrjetë Kastrioti, na dolën lotë gëzimi që të treve, gjyshit, babës edhe mua. I pari që theu portën islandeze, një ilir kundër vikingëve. Pastaj gëzimi nuk u ndal edhe me tre golat e tjerë, ndërsa me atë fanellë që edhe realizoi, ia ka dhuruar gjyshit. Ishte një nga mbrëmjet më të mira në gjithë jetën tonë familjare. Miqtë dhe gjithë fshati ku është lindur gjyshi i Kastriotit, ishin mëse të lumtur. Kur e shikojmë edhe në televizor tani atë ritransmetimin me zërin e Shakos, të bën që të ngrihesh nga vendi dhe të kërcesh përpjetë. Ajo e famshmja: “Po po po po, Kastriot Dërmaku”. /Sport Ekspres/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top