
Në mesjavë do të rikthehet sërish kampionati italian, teksa mes ndeshjeve më të bukura, veçohet padyshim Atalanta-Juventus. Kjo ndeshje do të pritet me interes të madh edhe nga tifozët shqiptarë, pasi atje do të gjenden dy futbollistë të Shqipërisë.
Si gjithmonë, Etrit Berisha do të mbroj edhe këtë herë portën e Atalantës, me misionin e vështirë për të mos pësuar ndaj Juventusit, që golin e ka një mision elementar. Kësaj detyre të pamundur në dukje, do i shtohet edhe mbrojtësi shqiptar, Berat Gjimshiti.
Më shumë sesa një zgjedhje e trajnerit, vendi ndaj Juventusit i është vetofruar mbrojtësit shqiptar. Dy mbrojtësit qendror të Atalantës janë ndëshkuar me kartonë të kuq në ndeshjet e fundit, Palomino dhe Toloi. Në kushte të tilla, Gasperini nuk ka zgjedhje tjetër veçse t’i besojë shqiptarit, që do të jetë së bashku me Mancinin dhe Masiellon përpara Berishës.
Kjo është skema që është provuar së fundmi në stërvitje dhe është raportuar nga mediat italiane, ndërsa në kujtesë motivimi për Gjimshitin përpara një takimi të tillë, vjen ai gol që realizoi ndaj Interit. /Shqiperia.ch/