
Një notë shumë të lartë për këtë javë të kampionatit italian, meritojnë tifozët e Atalantës. Meqë jemi në kohë kritikash dhe trazirash disi në kampionatin italian, me tifozët e Interit që kanë djallosur gjithçka me racizmin dhe përleshjet e kryera ndaj tifozëve të Napolit, “Shqiperia.ch” sjell një panoramë tjetër nga Italia.
Jemi sërish me zikaltër, por këtë herë ndryshon emri i ekipit. Bëhet fjalë për skuadrën e Atalantës, atje ku luan Berisha dhe Gjimshiti. Të dy këta futbollistë ishin protagonist të takimit ndaj Juventusit, në atë ndeshje të mrekullueshme që tifozët kishin stërmbushur stadiumin.
Spektakli nisi që në hyrjen e lojtarëve në fushë, teksa në veriun e stadiumit, nisi koreografia me flamuj të zi, të bardhë e blu. Ndërsa nga ana tjetër, në jug, u ekspozua edhe parrulla e famshme: “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm”.
Gjatë ndeshjes tifozë kanë shpalosur pankarta të shumta për Kristiano Ronaldon, disa duke e ironizuar e të tjerë duke kërkuar fanellën. Etrit Berisha po ashtu mbetet një lojtar i dëshiruar për shumë prej tifozëve, të cilët shpalosnin fanellën e gardianit tonë të Kombëtares sa herë i jepej mundësia. Përtej ndonjë incidenti të vogël dhe të izoluar, gjithçka tjetër shkoi për mrekulli, teksa Juventusi përjetoi rëniën e parë për disa minuta, në shtëpinë e futbollit italian, të paktën për këtë javë. /Shqiperia.ch/