
Shumë pengje për një fitore të mohuar ndaj Jordanisë, por ishte vetëm një miqësore. Shqipëria vështron përpara, atje ku do të përballet ndaj Izraelit, në atë takim të vlefshëm për “Ligën e Kombeve”.
Ky do të jetë takimi i vërtetë për kuqezinjtë, për të testuar forcën e tyre. Këtë e di më së miri edhe Elseid Hysajn, që premton se lojtarët do të japin 120% nga vetja e tyre. Mbrojtësi shkodran është ndalur edhe të lënia në stol për Jordaninë, duke e cilësuar rotacionin si vendim pozitiv të marrë nga Panuçi.
“Rotacioni është i rëndësishëm dhe diçka shumë e mirë. Ndaj Jordanisë ishte një miqësore dhe duhej që të shihnim lojtarët e rinjë. Kemi treguar karakter në takimin e djeshëm dhe krijuar mundësi, por kundërshtari u mbyll në mbrojtje.
Tashmë jemi gati për Izraelin, po rikuperojmë edhe pak gjëra që na duhen. Sigurisht që ndikojnë edhe mungesa në ekip, por ky është një shans i artë për të rinjtë që të tregojnë veten. Do të japim 120% sepse diçka e tillë nevojitet në këtë moment”, u shpreh Hysaj. /Shqiperia.ch/