
Kombëtarja shqiptare e ka mësuar trajnerin e ri, megjithëse jo në rrugë zyrtare. E gjitha kjo do të vonojë edhe pak orë, por e rëndësishme është fakti që Reja do të marrë drejtimin e kuqezinjve, ashtu siç edhe pritej më parë.
Por Reja nuk do të vijë i vetëm, pasi do të marrë si ndihmës trajner edhe një emër të njohur në futbollin italian. Sipas asaj që raporton “Gianluca Di Marzio”, bëhet fjalë për Aleksandro Kalorin. Ky i fundit fillimisht duhet të heq dorë nga Ternana, pasi është ende në kontratë me të.
Për t’u ndalur te emri i tij, nga një kërkim i lehtë në internet kuptohet lehtësisht edhe zhurma më e madhe që ka bërë Kalori në Itali. Bëhej fjalë për titullin në vitet 1999-2000, teksa luante me ekipin e Peruxhias. Në ndeshjen e fundit të Serisë A, Kalori do të shënonte golin e vetëm në atë përballje ndaj Juventusit, që përfundoi 1-0, e në këtë mënyrë titulli u shpëtua nga duart e bardhezinjve për t’i kaluar Lacios. /Shqiperia.ch/