
Kur je mirë, të gjithë të duan. Kjo nuk ka diskutimin më të vogël. Ndërsa në momentet e vështira, bëhet një farë ndarje, mes dashurisë së vërtetë dhe asaj të shtirur.
Shqipëria ndodhet në një moment të vështirë dhe kërkon lojtarin e saj të 12-të, për të dalë nga kjo gjendje në të cilën ndodhet aktualisht. Tifozët duhet të jenë sërish aty, për të mbushur stadiumin dhe për të brohoritur për kuqezinjtë.
Këtu nuk po flasim për grupimet e tifozerive, të cilat nuk e braktisin Kombëtaren, por për tifozët e thjeshtë. Shqipëria nuk duhet të ngjall interes vetëm kur mund Serbinë, Greqinë apo arrin në Europian. Ajo duhet të ketë të njëjtën dashuri edhe nëse humbet disa takime rresht, edhe nëse dështon atje ku të gjithë do të dëshironim fitore, edhe nëse luan ndaj kundërshtarëve si Jordania. Sepse dashuria e vërtetë, nuk ka asnjë kusht. E tillë duhet të jetë ajo e jona për Shqipërinë. /Shqipëria.ch/