
Gjithmonë përplasemi me një histori të rëndomtë me lojtarët shqiptarë. Në disa prej rasteve sigurisht, pasi gjithmonë ka vend për përjashtime.
Sa herë që një prej tyre kalon në elitën e futbollit europian, rrjetet sociale “pushtohen” nga foto të shumta. Pak kanë të bëjnë me fushën e blertë, ndërsa shumë prej tyre janë për të treguar edhe arritjet e karrierës.
Por Myrto Uzuni e bën përjashtimin. Ky i fundit e di më së miri të kaluarën e tij. Sulmuesi i Shqipërisë e di më së miri të kaluarën e tij të vështirë, kur në jo pak raste ka menduar edhe dështimin në një farë mënyre, për vetë gjërat si funksionojnë ndonjëherë në vendin tonë. Gjithmonë të parët për të prerë ëndrrat me “sopatë të madhe”, e të fundit për të dhënë një dorë te shkallët kur një njeri i thjeshtë kërkon të ngjitet.
Askush nuk fliste për të, ndërsa Uzuni vazhdon të ngjitej e ngjitej pa u vënë re askush. Derisa në një moment kur të tjerët ngritën kokën, panë se futbollisti në fjalë ishte ngjitur aq shumë, sa askujt nuk po u besohej.
Tashmë me Lokomotivën e Zagrebit, është ylli i vetëm i skuadrës. Gjithmonë duke shënuar, ndërsa sot do të provoj forcën edhe me Dinamon e Zagrebit. Nga një kërkim i thjeshtë në internet, kupton se Uzuni nuk ka shumë varësi nga rrjetet sociale. Nga një kërkim i thjeshtë në internet kupton se Uzuni nuk ka nevojë “të ulëras” për padrejtësitë që i janë bërë dhe të reklamoj veten e tij, sesa mirë ndodhet tani. Sepse kjo do të ishte një dalje kundër së shkuarës, që ndoshta vetë futbollisti mund ta dijë sesa shumë e ka përjetuar. Arritjet më të mëdha janë ato që bëhen në heshtje dhe flasim për një nga lojtarët më të përulur në Shqipëri. Zhurma, thuajse gjithmonë vjen kur një vrimë e madhe krijohet në ujë… /Shqiperia.ch/