Në sajë të një rubrike të re, të nisur disa kohë më parë, “Shqiperia.ch” do të bëj gjithmonë në ditën e hënë formacionin më të mirë të shqiptarëve në Europë, sa i takon një jave të lënë pas.
Faktikisht, e marrë në vija të përgjithshme, futbollistët shqiptarë kanë shkëlqyer si asnjëherë më parë këtë herë, megjithëse sërish ngelet e vështirë që në disa pozicione të caktuara, të gjesh lojtarët e duhur që kanë bërë një paraqitje të pëlqyeshme.
Këtu do të përfshihen shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ashtu siç edhe jemi, në një të vetëm, pavarësisht disa ndarjeve të pësuara në vitet e fundit, të detyruara, por që nuk na pengojnë për të ardhmen e përbashkët.
Formacioni i plotë
Berisha– Si asnjëherë më parë, kjo ka qenë java më e keqe e portierëve shqiptarë. Asnjë prej Berishës dhe Strakoshës nuk ka bërë paraqitjen e zakonshme, për të shkëlqyer në Itali. Por në formacionin ideal, zgjedhim Berishën për shkak se gafa e tij nuk i kushton aspak Atalantës. Ndryshe flitet në rastin e Strakoshës, teksa ajo peshë faji në golin e pësuar i ka hequr dy pikë ekipit të Lacios.
Gjimshiti– Padyshim një nga protagonistët kryesorë shqiptarë në Europë për këtë javë. Në mënyrë befasuese futet si pjesë e formacionit ndaj Interit. Jo vetëm që bind ndaj zikaltërve, por arrin edhe të shënojë. Bën ndeshjen e ëndërrave!
Ismajli– Stoli ishte e kaluara, Ardiani po tregon gjithmonë e më shumë vlerat e tij. Hajduku merr një fitore jetike për të rikthyer moralin në skuadër, ndërsa si rrallëherë në ndeshjet e fundit, nuk pëson në prapavijë. Kjo për meritë të Ismajlit që bën një ndeshje shumë të mirë.
Ajeti– I thyen të gjitha pritshmëritë dhe është vetëm për t’u përgëzuar. U përfol se duhej të ishte 3 muaj larg fushave të blerta, ndërsa pas vetëm 1 jave mungese, në kushte emergjence trajneri e aktivizon duke rrezikuar jo pak, ndërsa Ajeti bind në fushën e lojës dhe Grashopërsi fiton.
Lenjani– Vazhdon të ruajë ritmin e lartë në Zvicër, teksa këtë herë jep një asist vendimtar për Kasamin. E kthyer kjo në dialogun më të mirë në kohët e fundit, teksa të dy këta futbollistë kombinojnë së bashku për të gjetur golin e Sionit. Një gjë është e sigurtë, Ermir Lenjani po arrin formën më të mirë.
Kaçe– Me perlën e realizuar ndaj Olimpiakosit, nuk ka shumë nevojë për komente. Ergysi është rikthyer në kohën e dikurshme, atëherë kur e gjithë Seria A çmendej pas tij. Ngelet të shihet sesi do të jetë vazhdimësia, por për këtë javë është befasia më e madhe në Greqi. Për ne në Shqipëri aspak, pasi ia dimë shumë mirë aftësitë.
Ndoj– Breshian është në gjendje që ta marrë me vete edhe i vetëm. Megjithëse te Kombëtarja ende nuk e ka treguar aftësinë e tij të plotë, Emanuele Ndoji futet padyshim te më të mirët në Serinë B. Këtë javë dhuron një pasim të bukur dhe vendimtar për Donarumën, shokun e tij të skuadrës, që nuk e ka të vështirë të dërgoj topin në rrjetë.
Grezda– Ky ishte momenti i duhur, Erosi duhet ta shfyrtëzonte atë dhe ashtu bëri. Dy gola të realizuar ndaj Motherwell dhe një asist për shokun e skuadrës. Më mirë nuk mund të bëhej, Grezda jo vetëm që e kalon klasën në Skoci, por edhe merr fletën e lavdërimit nga Gerrard.
Celina– Mbetet padyshim një nga futbollistët më të mirë të Swanseat. Megjithëse nuk arrin të ngel në historikun e takimit ndaj Boltonit, është sërish një nga më të mirët të takimit, për të mbajtur në presion gjatë gjithë kohës kundërshtarët e tij. Në Angli me të janë duke projektuar kalimin në “Premier League”.
Muriqi– Më në fund zhbllokohet në Turqi! Muriqi arrin të rikthehet te goli, madje këtë e bën edhe ndaj kryesuesëve të Bashaksheirit, për të marrë vlerë të dyfishtë. Megjithëse goli i tij nuk ndryshon asgjë në fatin e takimit, të paktën arriti ta hap atë për disa minuta.
Vrioni– Paraqitje pozitive pëpara mbërritjes në Kombëtare. Djaloshi i vogël ka arritur të fitojë një penallti me Venecian, të cilën duhet ta ekzekutojë një tjetër futbollist. Bie disi në nivelin e tij me kalimin e minutave, por e përgjithshmja është më shumë se pozitive për të. /Shqiperia.ch/