Trajneri i Kosovës, Shaland, ka rrëfyer gjithçka gjatë konferencës për shtyp të dhënë në ditën e sotme. Përtej pjesës së dardanëve dhe llogaritjeve të punës së kësaj përfaqësuese, zvicerani ka folur edhe mbi zgjedhjen e lojtarëve shqiptarë.
Sipas asaj që raporton “Indeksionline”, Shaland e ka thënë hapur se ishte një prej njerëzve, që i ka sygjeruar Valon Behramit që të mos zgjidhte Shqipërinë. Kjo pasi sipas tij, nëse mesfushori shqiptar do e bënte një zgjedhje të tillë, atëherë duhej të harronte Botërorin dhe Europianin. Jo edhe aq perfekt në llogaritjen e tij Shaland, pasi Shqipëria arriti të kualifikohej në Europianin e Francës dhe ndjenja e marrë nga ana e lojtarëve tanë prej aty, mund të barazohej vetëm me një fitim të Botërorit apo Europianit nga ana e Zvicrës, nëse e çojmë llogjikën e krahasimit deri në fund.
“Unë isha në Zvicër me Behramin dhe i thashë: A do të luash për Shqipërinë? Kur do të shkoj Shqipëria në kampionat Europian apo Botëror? Me Zvicrën do të shkosh në Botëror dhe Europian. Nuk kam asgjë kundër Shqipërisë, por atëherë isha në Federatën e Futbollit të Zvicrës. I thashë, Valon mos shko te Shqipëria të lutem. Ne flasim për futboll”, ka thënë Shaland, që për momentin e ka harruar se përfaqëson vetë shqiptarët dhe një deklaratë e tillë ishte krejtësisht e evitueshme. /Shqiperia.ch/