
Ndonjëherë nuk mjaftojnë aftësitë e treguara dhe vlerat e larta, për të pasur mbështetjen e të gjithë njerëzve. Të paktën në Itali, një gjë e tillë nuk është e mundur. Sa shumë kritika patën kundër Thomas Strakoshës disa javë më parë, duke kërkuar edhe një largim të mundshëm të shqiptarit.
Arsyet ishin nga më të ndryshmet, për ta nisur nga disa gola të pësuar në mënyrë “fëmijnore”, e deri te pika e bardhë e penalltisë. Përpara ndeshjes me Interin, në 40 penalltitë e Strakoshës, në 38 raste gardiani shqiptar thjeshtë kishte nxjerrë topin nga rrjeta. Megjithatë ai takim ndaj Interit i heshti kritikët, pasi portieri shqiptar priti 2 penallti dhe kualifikoi Lacion në Kupë.
Nëse mendoni se qetësia do të vendosej në Itali, pasi në dy takimet e tjera Strakosha e ka mbajtur portën e paprekur(Frosinone, Empoli), është “Cittaceleste” ajo që ngulmon në pikën e dobët të shqiptarit. Frika nga daljet nga zona e tij, është pikërisht kjo ajo që përmendet nga media italiane, që thekson faktin se Strakosha gabon shumë në momentin kur vendos të dalë nga porta pas krosimeve kundërshtare, ndërsa e rrezikoi jo pak skuadrën e tij në disa momente të veçanta edhe ndaj Empolit. “I jashtëzakonshëm është vetëm kur ndodhet në linjën e portës, pasi kur del nga vija e tij, kanos rrezik për skuadrën”, shkruhet në median italiane. /Shqiperia.ch/