
Futbolli në Seria A është në duar të huaja pasi 10 portierët titullarë nga 12 skuadrat për sezonin e ardhshëm, nuk do të jenë italianë. Pikërisht ky është “alarmi” i fundit i ngritur nga “Gazzeta.it”, që flet për një temë vërtet interesante.
Kështu atje citohet se edhe katër transferimet e ardhura në këtë kampionat dhe që i përkasin portës, nuk flasin për vendasit. Finlanda, Poloni, Spanja dhe Shqipëria! Këto janë shtetësitë e portierëve që janë transferuar në ekipet e Serisë A së fundmi, ndërsa në rastin e Shqipërisë ndikon transferimi i Etrit Berishës që lëvizi nga Atalanta te SPAL.
“Gazzeta.it” shkruan edhe për rritjen që ka shkolla shqiptare e futbollit me portierë si Strakosha dhe Berisha, që kanë përthithur shumë nga kultura italiane. Megjithatë atë që fqinjët tanë e përdorin si mundësi krenarie, por që nuk ka edhe shumë vërtetësi, është meritokracia. “Shkolla e futbollit është në rritje me Strakoshën dhe Berishën. Ata kanë marrë gjithë teknikën e duhur në Itali. Këto janë zgjedhjet me të huajt. Megjithë respektin e duhur për shkollën italiane, por këtu meritokracia mbizotëron mbi çdo pashaportë”, shkruan media italiane.
Megjithatë vend për përjashtime ka gjithmonë, ashtu si edhe në periudhën e Etrit Berishës te Lacio. Pikërisht në kohën kur gardiani i Kombëtares po kalonte kulmin e karrierës, por i duhej të largohej nga Frederiko Marketi, që me gabimet e tij fëmijnore i kushtonte shumë Lacios. Ndoshta situata ka ndryshuar tani pasi më herët ishte pashaporta që mbizotëronte mbi meritokracinë. Të paktën, në këtë mënyrë e largoi Marketi portierin kuqezi… /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/