
Herdi Prenga ishte padyshim një prej lojtarëve që e meritonte ftesën nga trajneri Panuçi, sa i përket dy takimeve që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Skocisë dhe Uellsit. Gjithsesi këto janë punë që i përkasin teknikut italian, ndërsa ne mund të merremi vetëm me detyrën tonë, pasqyrimin e gjendjes së lojtarëve shqiptarë.
Prenga ndodhet në një moment shumë të mirë në Kroaci, ndërsa në javën e fundit është shpallur në formacionin më të mirë të javës me ekipin e Inter Zapresiç. Një jetë në Kroaci, me futbollin dhe Kombëtaren e këtij vendi, ndërsa mbrojtësi do të vendoste më pas t’i bashkohej Shqipërisë.
Fillimisht me Skënder Gegën te U-21, për të vazhduar më pas në Kombëtaren e madhe. Në një intervistë për “Shqiperia.ch”, Prenga shprehet se është gati për të bërë hapin e madh.
Ke ende shumë vite karrierë, por deri më tani i lidhur ngushtësisht me futbollin kroat. Çfarë ke fituar nga kjo eksperiencë e deritanishme?
Kam filluar futbollin që 8 vjeç tek akademia e Dinamos së Zagrebit. Aty kam kaluar të gjithë grupmoshat ku kam qenë dhe kapiten i gjeneratës time. Gjithashtu kam luajtur rregullisht me ekipet kombëtare të moshave kroate deri tek U-21. Pas 30 ndeshjeve me ekipet kroate, pranova thirrjen e trajnerit Skënder Gega për të luajtur me U-21 e Shqipërisë, ku luajta 8 ndeshje dhe shënova 1 gol. Edhe pse i ri në moshë kam një eksperiencë të gjatë sportive, gjë që më ka ndihmuar në formimin e karakterit tim si lojtar.
Në javën e fundit, je shpallur në formacionin e javës. Cilat kanë qenë fjalët e trajnerit në fundin e ndeshjes tuaj?
Sigurisht, në fund të atij takimi ka marrë vetëm vlerësime dhe fjalë të mira nga ana e trajnerit, që më shtyjnë për të vazhduar edhe në të ardhmen në këto ritme.
A do e shohim Herdi Prengën jashtë kampionatit kroat në të ardhmen?
Gjatë gjithë kohës që po luaj futboll si profesionist ofertat nga jashtë nuk kanë munguar. Nuk kam dashur që të nxitoj dhe pres momentin e duhur. Momentalisht kam disa oferta interesante që si unë dhe klubi po i shikojmë me kujdes sepse mendoj se jam rritur si lojtar dhe ka ardhur koha të bëj një hap para ne karrierën time.
Sa i përket Kombëtares, si të është dukur harmonia në skuadër dhe çfarë i mungon kësaj Shqipërie?
Harmonia në skuadër është gjatë gjithë kohës shumë e mirë dhe pozitive, megjithëse rezultatet nuk na kanë ndjekur. Mendoj që skuadra ka cilësi, por dëmtimet e shumta dhe mosaktivizimi i lojtarëve tanë në klube na kanë dëmtuar shumë.
Mbrojtja e Kombëtares ka shfaqur pasiguri kohët e fundit. Shumë lojtarë janë jashtë forme, e prisnit shansin tuaj nga Panuçi?
E thashë edhe më sipër këtë gjë. Personalisht jam i gatshëm në çdo moment të jap më të mirën për kombëtaren e Shqipërisë. Pres shansin sepse mendoj që jam në një formë shumë të mirë, gjë që e kam treguar me lojën time në ndeshjet e fundit në kampionatin kroat.
Sa emocione dhe përgjegjesi ka Herdi Prenga, kur mban veshur fanellën e Shqipërisë mbi shpinë?
Të luash per vendin tënd është me të vërtet përgjegjësi, por kënaqësia dhe krenaria ma lehtësojnë këtë gjë. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/