
Igli Tare është shpallur gjithmonë në vitet e fundit si drejtori sportiv më i mirë në Seria A. Padyshim një vlerësim i madh për personalitetin shqiptar, në elitën e futbollit italian.
I ftuar në emisionin “Në kurthin e Piter Panit”, Tare ka folur më veçanërisht për kombëtaren shqiptare. Drejtori sportiv i Lacios është shprehur se do të rikthehet një ditë për të dhënë kontributin e tij për Shqipërinë, ndërsa ka rikthyer edhe kujtimet e bukura me kuqezinjtë.
“E kam gjithmonë që jam shumë i lidhur me Kombëtaren, me ngjyrat tona kuqezi. E kam dëshirën time të madhe që një ditë të jem pjesë e kontributit, për të rritur edhe më lartë futbollin në Shqipëri. Mua më pëlqen që Partizani u bë kampion, sepse kam luajtur kur kam qënë i vogël në Shqipëri me ngjyrat e Partizanit.
Dua t’ia uroj fitimin e kampionatit pas 26 vjetësh. Kujtimi më i bukur ka qënë ndeshja e parë me Kombëtaren. Ishte ëndrra e një fëmije të vogël, që kur flija, mendoja të përfaqësoja vendin tim. Padyshim që kulmi ishte kur fituam ndaj Greqisë kur ata fituan Europianin”, ka thënë Tare. /Shqiperia.ch/