
Erdon Daci i ka mahnitur të gjithë te Konyaspori me ndeshjen e parë që zhvilloi në kampionatin turk, ndërsa ekipi i tij barazoi pa gola ndaj Ankaragucu. I ardhur nga të rinjtë e kësaj skuadre, talenti shqiptar ishte grumbulluar edhe në sezonin e shkuar në disa raste nga ekipi që përfundoi në mesin e tabelës.
Por për herë të parë ka luajtur për 90 minuta të plota pikërisht në përballjen e djeshme, që ishte hapëse për sezonin e ri sa i përket Konyasporit. Mediat turke e kanë vlerësuar Dacin si një nga më të mirët në fushë, ku veçanërisht spikati gjatë pjesës së parë.
Ky futbollist ka përfaqësuar të rinjtë e Maqedonisë, por “syri i qan” për t’iu bashkuar Shqipërisë. Këto kanë qënë vetë fjalë e tij që ka dhënë për “Shqiperia.ch” para pak muajsh: “Kam qënë gjithmonë në kontakte nga Shqipëria, por asnjëherë nuk kam marrë ftesë. Po normale, sikur të gjithë shqiptarët edhe unë dua të bashkohem me kuqezinjtë. Por nëse nuk ke ftesë, nuk mund të bësh asgjë”, do të shprehej Daci. /Shqiperia.ch/