
Kastriot Dërmaku hapi jo pak polemika me ardhjen e tij te Shqipëria, sa i përket ndeshjeve që do të luhen kundër Jordanisë dhe Izraelit.
Më parë mbrojtësi ka shkuar edhe te Kosova, por duke u larguar nga ta, në një mënyrë jo shumë të mirë. Mediat në Kosovë u shprehën se kuqezinjtë tashmë kanë mbetur pa lojtarë, aqsa marrin të përjashtuarit e dardanëve.
Deri diku, në këtë linjë mendimi është edhe menaxheri i Kosovës, Bajram Shala. Në një intervistë për mediat vendase, Shala u shpreh se një nga arsyet e largimit të Dërmakut nga “dardanët”, ishte konkurrenca, duke mohuar një përplasje me trajnerin Shaland.
“Është zgjedhje personale e lojtarit të cilën ne e respektojmë. Ndoshta lojtari nuk ka arritur që të adaptohet. Ndoshta nuk është ndjerë mirë. Ndoshta e ka parë konkurrencën, nuk e di se çfarë të them më tepër.
Absolutisht nuk ka pasur asnjë problem gjatë kohës sa ka qenë i grumbulluar me Kosovën”, ka thënë Bajram Shala. /Shqipëria.ch/