
Loret Sadiku ishte kryefjala e muajit të shkuar, sa i përket futbollistëve shqiptarë dhe zgjedhjes së tyre. Nga Suedia, Kosova dhe te Shqipëria jemi duke folur për mbrojtësin më të pavendosur që kemi pasur ndonjëherë si rast. Trajneri Panuçi e kërkoi te Kombëtarja, ndërsa vetë lojtari e telefonoi duke i thënë se nuk mund të vinte, pasi nuk ishte në gjendjen fizike të duhur, pavarësisht dëshirës për t’iu bashkuar kuqezinjve.
Megjithatë, të gjithë fjalët e këtij lojtari hidhen poshtë nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës,Agim Ademi. Në një intervistë për “RTSH Sport”, ai është shprehur se dëshira e lojtarit është vetëm t’i bashkohet dardanëve, e për këtë po luftohet me FIFA-n.
“Na vjen vërtet shumë keq për gjendjen e Loret Sadikut. Ai nuk e meriton, sepse është djalë fantastik. Po mbahet peng nga ana e FIFA-s më kot. Ata nuk e lënë sepse shprehen se e ka ndërruar njëherë zgjedhjen e tij, nga Suedia te Shqipëria. Megjithatë Loreti nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me kuqezinjtë. Dëshira e tij është që të luajë për Kosovën dhe po shihet për mundësinë. Presidenti Duka është shprehur i gatshëm të na ndihmojë me një letër, ku të vërtetojë faktin se futbollisti në fjalë nuk ka luajtur asnjë ndeshje për Shqipërinë nëse është e nevojshme”, u shpreh Ademi. /Shqiperia.ch/