
Mirlind Kryeziu është afrimi më i ri tek dardanasit, ku pak ditë më parë ai u pajis edhe me pasaportën e Kosovës. Mesa shihet më në fund trajneri zviceran që është në krye të dardanasve do të “flejë” i qetë, pasi qendërmbrojtësin që kërkonte me aq ngulm, i erdhi në organikën e ekipit.
Mirlindi është lojtar 21-vjeçar, ndërsa është pjesë e një prej klubeve më të njohur në Zvicër, Zyrihut. Kujtojmë që Kryeziu ka qenë pjesë e skuadrave zinxhirë të ekipit Kombëtar të Zvicrës, ndërsa që prej gushtit të vitit 2013, ai u bashkua me Zvicrën U-16. Për të kaluar të gjitha grupmoshat e helvetëve, U-17, U-18, U-19, U-20 dhe U-21.
Në fund Kryeziu e bëri zgjedhjet e tij, për të përfaqësuar dardanët.Mbrojtësi ka një konstrukt fizik tejet të pëlqyer nga Shaland, pasi është rreth 1.97 m i gjatë, që do të thotë që dardanasit në një farë menyre e kanë siguruar lojën ajrore në mbrojtjen e tyre. /Shqiperia.ch/