
Fillimisht Matera dhe më pas Pro Piacenza, të dyja ekipet patën të njëjtin fat për t’u përjashtuar dhe turpëruar në Seria C, pas problemeve që ndodhën me pagat e lojtarëve. Por në skuadrën e Materës, ishte futbollisti shqiptar Alessio Hysaj. Ky i fundit ka luajtur edhe me grupmoshat e Kombëtares dhe është kushuriri i Elseid Hysajt.
Së fundmi në një intervistë për median italiane, “Masport”, futbollisti ka treguar gjithë dramën e përjetuar gjatë atyre kohëve. Nga të niset? Ndoshta që te pjesa e lojtarëve dhe grevës së tyre, apo te ata protagonistë të fushës që nuk po u dilnin lekët as për të paguar qiranë e shtëpisë.
“Ishte e paimagjinueshme, në futboll nuk duhej të ndodhin, sidomos në këtë kategori. Nuk e kemi përjetuar mirë, ka pasur djem që vinin nga jashtë dhe nuk e dinin se më çfarë parash mund të paguanin qiranë e shtëpisë apo sesi të paguanin ushqimet e tyre. Disa të tjerë shpreheshin se ne thjeshtë duhej të luanim futboll fillimisht, por nga ana tjetër mendon edhe sesi duhet të jetosh më vonë. Kemi shkuar në grevë për 15-20 ditë që të na hidheshin pagesat.
Futbolli duhet të jetë një argëtim i madh, por kjo nuk ndodh për shkak të kompanive të dështuara, përplasjeve me tifozët dhe racizmit, është futboll i sëmurë. Gjithsesi Matera do të kthehet më e fortë se më parë edhe me tifozët që ka. Unë uroj që do thirrem për ta ndihmuar në këtë kauzë”, tha Hysaj. /Shqiperia.ch/