Të parët për të kritikuar të tjerët, e të fundit për të parë punën tonë. Shqiptarët si një popull i vjetër kanë aq shumë gjëra për t’u admiruar, por nëse e kthejmë nga krahu tjetër, kemi edhe aq shumë të meta.
Mediat shqiptare sportive nëse flasin për Kombëtaren, sigurisht që do të bëjnë analiza shigjetuese për të dalë në të njëjtën përfundim: “Panuçi duhet të shkarkohet”. Një përfundim ky i kthyer në monoton e i mërzitshëm, pasi është një çështje e mbyllur. Vetë Federata ka dalë kohë më parë me njoftimin se tekniku italian do të vazhdojë të kryesojë Shqipërinë.
Prej kohësh ne kemi pasqyruar një të magjishëm shqiptar, që krahasohet me Ksavin e që luan me Sionin, Bastien Toma. Pakkush fliste dhe flet për të, ndërsa në Zvicër janë duke kryer hapat e fundit për ta marrë në Kombëtare. Ndërkohë që në Shqipëri merren ende me Panuçin, mediat zvicerane kanë nisur të tërheqin Tomën gjithmonë e më tepër drejt helvetëve.
Është vetë klubi i Sionit që njofton se lojtari i tyre është kthyer në kryeqendrën e vëmendjes të mediave zvicerane. Në vendin tonë ndoshta ende nuk dinë prejardhjen e tij, për të mos folur për më tepër. Për të mos folur për ato dy pasime që ky lojtar i ka dhënë Lenjanit e që kanë bërë gjithë xhiron e rrjeteve sociale, apo atë realizim nga distanca të kryer së fundmi që i la të gjithë gojëhapur.
Gjithsesi, ashtu siç ndodh rëndomtë në Shqipëri, gjërat më të parëndësishme për ne janë ato që shfaqin rëndësinë kryesore. Ndërkohë që nga kontaktet që “Shqiperia.ch” ka pasur pranë këtij lojtari, na njoftohet se vendimi i tij përfundimtar do të merret me fillimin e vitit të ardhshëm. Nëse lojtari në fjalë zgjedh të luajë për Zvicrën, ashtu siç ka gjasa të ndodh, mediat do të nisin t’i sulen drejtuesve tanë për një tjetër dështim. Por pyetja lind: “Po vetë mediat, kur e kuptuan se kush ishte Bastien Toma”? /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/