Vitet kalojnë shpejt dhe tashmë nuk e ka më një çështje për ty Valon, ose siç ti preferon të quajmë, thjeshtë Behrami.
“Falë investimeve të Zvicrës jam bërë lojtari që unë jam sot. Kjo vlen edhe për Shaqirin. Nuk duhet të flasim më për ‘kosovarozviceran’ apo për ‘zviceranozviceran’. Kjo nuk na dërgon askund. Ne jemi zviceranë që luajmë për Zvicrën”.
Kështu është shprehur mesfushori përpara disa vitesh, për zviceranen “Laliberte.ch”. Ai zgjodhi të linte pas shpine emrin e tij, duke kërkuar të thirrej gjithmonë si Behrami që i përkiste zviceranëve, duke i lënë mbrapa rrënjët e tij. Kjo ego e madhe për të arritur sa më lartë në karrierën personale, duke sakrifikuar edhe origjinën shpeshherë, kulmoi me arritjen e Behramit te Napoli.
Shqiptarët gjithmonë e prisnin një shkak prej tij, që të krenoheshin dhe mburreshin me të, se në kampionatin e tyre më të dashur, ishte edhe një shqiptar që luante për një ekip dinjitoz. Por asnjëherë ky shkak nuk u erdhi nga Behrami, madje ky i fundit i ka përplasur shumë herë derën në fytyrë duke u treguar i prerë dhe gjakftohtë: “Jam i Zvicrës”.
Tashmë koha bën punën e saj dhe karriera e këtij mesfushori me Kombëtaren, është mbyllur. Do të ishte çmenduri nëse do të pretendohej që Valon Behrami të mbahej mend nga tifozët e Zvicrës pas disa vitesh, ashtu siç do të jetë po kaq çmenduri, që shqiptarët të kujtojnë bëmat e tij.
Mund të zgjedhësh të largohesh nga Kombëtarja mes lotëve dhe historisë si Lorik Cana dhe mund të zgjedhësh të largohesh si Valon Behrami, thjeshtë një më shumë.
Para, shumë para, vilë luksoze, ego e madhe dhe “e sëmurë” shpeshherë, sakrifica e orgjinës, në fund, a ia vlejti? Ndoshta po, ndoshta jo. Këtu nuk ka vend për fjalën TRADHËTI, por vetëm për…MËSHIRIM! /Shqipëria.ch/