
Pak kohë më parë në formën e një skandali u trajtuar përfaqësuesja e Maqedonisë ndaj Lihteshtejnit, teksa në formacionin e hedhur nga minuta e parë, kishte të aktivizuar 5 futbollistë shqiptarë, 1 me origjinë turke, ndërsa pjesa tjetër ishin vendas.
Nuk kishte sesi të përtypej një situatë e tillë nga analistët maqedonas, teksa himni nuk këndohet nga më shumë se gjysma e futbollistëve, por nuk mbaron vetëm me kaq. Futbollistët me origjinë shqiptare tek ekipi i Maqedonisë, kanë menduar të sjellin edhe një kërcim shqiptar në njërin prej golave të realizuar ndaj Lihteshtejnit.
Kështu, pas shënimit të Alioskit, ky i fundit ka shkuar në cepin e fushës së bashku me Ferhan Hasanin dhe Enis Bardhin, e në lëvizjet identike të këngëtarit Gjiko që kryen në këngën “Si bugatti”, kanë festuar atë gol të shënuar. Enis Bardhi është gjithmonë një protagonist edhe jashtë fushës së blertë, teksa disa kohë më parë “Jam nana” ishte hiti i tij në rrjetet sociale. Tashmë Maqedonia kërcen në ritmet e këngëve shqiptare. /Shqiperia.ch/