
Guri i rëndë, në vendin e vetë! Kështu është thënë prej kohësh në Shqipëri dhe sa të drejtë që kanë. Një tjetër rast që vjen në dëshmi për këtë fjalë të urtë, është ai i Ledian Memushajt.
Pas një kohe të shkëlqyer, nga më të mirat e karrierës së tij te Peskara, mesfushori shqiptar zgjodhi largimin drejt Beneventos për të qëndruar në elitën e futbollit italian. Pak kohë kishte kjo aventurë, ndërsa Memushaj e kuptoi se ishte më me nder të luftonte në shtëpi, për krenarinë e ekipit që ka përfaqësuar dhe dhuruar aq shumë emocion më parë.
Shumëkush mendoi se futbollisti i Shqipërisë nuk kishte se çfarë të jepte më në këtë skuadër, por koha tregon se të gjithë kanë gabuar, rëndë madje. Ashtu si edhe në ndeshjet e kaluara, Peskara ka fituar dhe kjo falë Memushajt.
Ky i fundit është gjithmonë vendimtar me asistet e tij, ndërsa këtë herë ka dhuruar një top për Manucso, në atë gol të shënuar ndaj Beneventos, që u përmbyll me rezultatin 2-1. Tashmë Peskara kryeson kampionatin e Serisë B, duke rikthyer optimizmin e madh te tifozët. /Shqipëria.ch/