Në rastin e Shkodran Mustafit, mund të thuhet lehtësisht: “Nuk mjafton vetëm shqiponja. Po sikur t’i hidhet një vështrim edhe fjalëve të urta të Shqipërisë?”. Sigurisht, nuk do të ishte aspak keq, sidomos në rastin e mbrojtësit në fjalë.
Guri i rëndë, gjithmonë peshon vetëm në vendin e tij. Kjo është pjesa që Mustafi nuk e ka kuptuar kurrë dhe tashmë vuan pasojat fatale. Për ta nisur me nivelin e klubeve, me lojtarin që ishte duke shkëlqyer te Valencia. Të gjithë në Europë flisnin për një mbrojtës të pakalueshëm që ndodhej në Spanjë, duke i rritur pikët vetvetes javë pas jave. Në një moment, Mustafi ndërrmori një vendim paksa të nxituar, duke zgjedhur t’i bashkohej Arsenalit.
Rezultatet dhe koha e treguan më së miri sesa kishte gabuar mbrojtësi shqiptar me transferimin në Angli. Në merkaton e verës së ardhshme pritet edhe largimi i tij nga anglezët, me tifozët që i kanë dalë kundër prej kohësh: “Përse nuk vendosni një portier në vendin e këtij lojtari?”. Pikërisht është ky reagimi i tifozëve të Arsenalit në “Twitter”, që nuk lënë rast pa u tallur me gabimet e Mustafit.
Por edhe sa i përket Kombëtares, nuk ka bërë më mirë. Me interesin e vazhdueshëm të Shqipërisë, në momentin kur pritej bashkimi i tij me kuqezinjtë, Mustafi zgjodhi një ëndërr të shfrenuar, për të përfaqësuar Gjermaninë. Për disa ndeshje e arriti qëllimin e tij, por përfundimi ishte i ditur që në fillimin e historisë. Gjermanët kanë një histori të madhe dhe lojtarë të kalibrit botëror, një lojtar i tyre duhet të ketë nivel të jashtëzakonshëm për t’i rrëmbyer zemrën trajnerit që të luajë si titullar.
Mustafi është në një nivel të kënaqshëm, por nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Në kohët e fundit, trajneri Lëv as që e mendon ta grumbullojë, e jo më për t’i besuar një vend titullari. Gjithmonë e kemi parë duke bërë simbolin e shqiponjës, por ndoshta duhet të lexohet më shumë në gjuhën shqipe, sesa të festohet në këtë mënyrë. /Shqiperia.ch/