
Eros Grezda u grumbullua nga trajneri Reja për dy takimet e rradhës së Shqipërisë në kualifikueset e Europianit. Disa dyshime ekzistonin për mungesën e lojtarit të Rangersit, duke parë sezonin që ka kaluar këtë herë në Skoci.
Dëmtimet në njërën anë, por edhe ambientimi jo i mirë në kampionatin skocez, ka bërë që tifozët e Rangersit të kërkojnë largimin e Grezdës në merkaton e verës. Gjithsesi, trajneri Reja nuk ngurroi për ta ftuar në Kombëtare për Islandën dhe Moldavinë.
Në një intervistë për “Supersport”, futbollisti kuqezi ka folur edhe mbi ndryshimet e Panuçit me teknikun aktual të kuqezinjve. “Janë shumë pak ditë për ta njohur njëri-tjetrin, por me ato që kemi parë në fillim, është gjithçka shumë pozitive. Ka një entuziazëm në grup, ndonëse nuk jemi të gjithë gati. Kemi kaluar shumë mirë. Është ende herët, por ndryshimi shihet, pasi janë dy persona totalisht të ndryshëm(Panuçi-Reja). Edhe eksperienca bën të vetën, pasi Panucci ishte në fillimet e tij, ndërsa Reja ka shumë vite përvojë dhe di të ndërtojë raporte mjaft të mira me lojtarët. Me Islandën është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi është një rival direkt për kualifikimi, ndaj do të jetë shumë e rëndësishme që të mos humbasim, ndërsa ndaj Moldavisë duhet të marrim maksimumin.
Ne do të luajmë për 6 pikë, pasi për të shkuar në Europian, duhet të fitojmë ndeshjet, Megjithatë mendoj se edhe 4 pikë, do të ishin shumë mirë për këto dy takime. Nuk kam pasur fat me dëmtimet, që më kanë shoqëruar vazhdimisht. Pikërisht dëmtimet më lanë mbrapa dhe nuk po arrija të futesha në ritmin e skuadrës. Kam edhe 3 vite e gjysmë kontratë me Rangers, por gjithçka mund të ndodhë. Për momentin jam i grumbulluar me Kombëtaren dhe përqendrimin maksimal e kam këtu. Objektivi kryesor i imi është që të luaj, por nuk di të them çfarë do të ndodhë. Ja të mbyllim ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas të shohim se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, ka thënë Grezda. /Shqiperia.ch/