
Që kur vendosi t’i bashkohet Rangersit, Eros Grezda zgjodhi të hiqtë dorë nga një kampionat disi më rutinë në Kroaci, për t’iu bashkangjitur Skocisë së një natyre tjetër. Pak javë në këtë kampionat dhe futbollisti i Kombëtares e ka provuar, thuajse në çdo javë tifozët e klubit të Rangersit do të sillen në mënyra të ndryshme me të.
Fillimisht duke e përkrahur, e më pas duke shfryrë inatin e dështimit të një ndeshje. Mëshira? E fundit që shkon ndërmend në Skoci. Pas shumë javësh të zhvilluara dhe luhatjeve që Grezda ka kaluar, mbyllja e këtij viti futbollistik do të jetë si nëpër filma.
Për futbollin në Skoci, dhurata e Krishtlindjeve do të jepet 4 ditë më pas. Pikërisht në datën 29 dhjetor, atje ku gjithçka tjetër do të ndalë dhe “Old Firm” do të ketë gjithë vëmendjen. Rangersi dhe Celtic do të përballen në derbin më të zjarrtë të Europës, e historia flet që përballjet mes këtyre dy ekipeve vetëm normale nuk mund të jenë.
Gjithçka pritet edhe nga tribuna, ku tymi që mund të vijë nga ana e tifozëve, të cilët të egërsuar nuk mund të pranojnë një tjetër rezultat përveç fitores, pritet të kaloj të gjitha kufijtë. Kjo dhe për vetë situatën në të cilën ndodhet Rangersi, pasi kryeson tabelën e klasifikimit dhe gjendet shumë pranë Celtic. Futbollisti shqiptar po bën gjithçka për të qenë në formën më të mirë, për të qenë në fushën e lojës në një takim që mund të shndërroj nga “djall” në “ëngjëll” në fraksion sekondi. /Shqiperia.ch/