Berat Gjimshiti është një nga mbrojtësit më konstant të momentit, pasi po kalon një sezon fantastik tek skuadra e Atalantës. Fundjavën që lamë pas, djemtë e Gaserinit u mposhtën në shtëpi nga ekipi i Milanit me rezultatin 1-3. Kjo humbje e tyre erdhi për shkak edhe të sulmuesit kuqezi, Piontek, ku polaku po bën Milanin të ëndërrojë.
Mbrojtësi i Kombëtares tonë ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka folur edhe për këtë përballje të kaluar. Sipas Gjimshitit lojtarët e Atalantës duhet ta harrojnë atë ndeshje dhe të fokusohen tek sfida e rradhës.
“Me Milanin mund të bënim edhe më mirë, por le ta lëmë atë ndeshje, për të menduar për të rradhës. Piontek na barazoi, kur të them të drejtën nuk e prisja që të godiste menjëherë drejt portës. U mundova ta ndaloja, por nuk ia arrita dhe kjo më ka bërë të nevrikosur me veten. Për momentin jam i fokusuar te Atalanta, në mars do të mendojmë për Kombëtaren”, u shpreh Gjimshiti. /Shqiperia.ch/