
Berat Gjimshiti e ka fituar besimin e Atalantës gjatë këtij sezoni, duke luajtur më shumë ndeshje në këtë sezon, nga çfarë ishin pritshmëritë në fillimin e kampionatit. Mbrojtësi shqiptar i ka treguar të gjitha vlerat e tij, megjithëse konkurrenca është e madhe në mbrojtje te klubi i Bergamos.
Sigurisht, këtu flasim për një ekip që është duke luftuar për arritjen në “Champions League”, me një ëndërr që është më e prekshme se kurrë pas hapave të gabuara që ka hedhur Milani. Në ditën e sotme, Atalanta do të ndeshet me Interin.
Berat Gjimshiti mund të luajë nga minuta e parë, ndërsa një dorë ia jep ndeshja e parë me Interin dhe Toloi. Goli i vetëm i mbrojtësit shqiptar në këtë sezon ka ardhur pikërisht në ndeshjen e parë ndaj zikaltërve, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke mos u mjaftuar me ndaljen e Ikardit. Gjithashtu edhe qendërmbrojtësi Toloi është i dëmtuar për këtë takim, me mungesën që tashmë është e konfirmuar zyrtarisht. Gjasat janë të mëdha që trajneri Gasperini të aktivizojë nga minuta e parë Gjimshitin, në një ndeshje vitrinë që do të luhet në Serinë A. /Shqiperia.ch/