Milot Rashica ka marrë gjithë vëmendjen e mediave gjermane, falë golave dhe nivelit të treguar me Werder Bremenin. Madje edhe në kualifikimin e fundit në Kupë ndaj Shalkes, do të ishte pikërisht kryevepra e Rashicës që do të hapte rrugën e asaj fitore me rezultatin 0-2.
Tashmë në Gjermani janë duke bërë analiza rreth këtij shpërthimit të sulmuesit shqiptar në vitin 2019, që ka dalë përtej parashikimeve. Portali “Wettbasis” është kapur edhe me detajin më të vogël, që ndoshta shihet si pa rëndësi për tifozët, por nuk duhet anashkaluar.
Flitet për modelin e ri që tashmë mban Rashica, teksa ka flokë të butë dhe të shkurtër dhe më pak në anësore. Nëse merret për bazë gjithë statistika e Bundesligës, “Wettbasis” shkruan se lojtarë me këtë model flokësh kanë shënuar 123 gola nga 714 të kampionatit gjerman. Mesa duket edhe kënga e vjetër gjermane: “Ju keni flokë të bukur”, duhet të rikthehet në treg kur shihet Rashica. /Shqiperia.ch/