
Nga Klaudio Ndreca
Një shprehje e urtë dhe që gjen vend në popullin shqiptar, në formën e një urtësie që vjen si këshillë: “Gjeje shokun më të mirë se vetja”. Pikërisht këtë bëri edhe De Biazi në kohën që mori Shqipërinë, atëherë kur pakush e besonte realisht se do të mbërrinim në një turne aq prestigjoz si Europiani.
Gjithmonë njerëzit shohin dhe parapëlqejnë vetëm sipërfaqen, për t’i mos hyrë gjërave shumë thellë. E sidomos kur flitet për ne shqiptarët! Në pamje të parë ishte De Biazi që i kishte të gjitha meritat. Në pamje të parë ishte De Biazi njeriu i vetëm që e dërgoi Kombëtaren deri në majat më të larta.
Por e vërteta mund të fshihet, derisa koha e zbulon si ilaçi më i mirë. Në momentin që Tramezani zgjodhi të largohej nga Shqipëria, kuqezinjtë tanë me De Biazin nuk ishin më në nivelet e larta dhe kjo shihej qartë në rezultate. “Më duhet të largohem, futbollistët nuk janë më të njëjtit”, do të shprehej ish-tekniku para se të ikte nga Shqipëria.
Ndoshta në fjalët e tij mund të kishte edhe vërtetësi, por ndoshta ajo që ka ndryshuar ishte brenda grupit kryesor që stërviste skuadrën tonë. Jemi gjithmonë në hipoteza dhe vlera e Tramezzanit po e tregon me kalimin e kohëve.
De Biazi do të niste vetëm një aventurë të dështuar te Alaveshi që nuk do të zgjaste për shumë javë në “La Liga”. Të gjitha aventurat e tjera janë si analist sportiv në televizione të ndryshme të Italisë. Për të kaluar te Tramezani, që mori Luganon dhe Sionin nga fundi i renditjes për t’i dërguar në Europë.
Aventura e re te Apoel Nikosia po shkon në perfeksion, pasi arriti ta shpallte kampion me sezonin e parë, duke fituar 19 ndeshje nga 28 të parat. Për më tepër Nikosia kaloi edhe në turin e tretë të “Champions League”, falë taktikave të këtij trajneri. Ndoshta gjithëkush mund të ngrihet në karrierë, nëse e bazon gjithë filozofinë e tij në këtë shprehje: “Shokun, gjithmonë më të mirë se veten”. Fundja, kështu De Biazi arriti të dërgonte Shqipërinë në Europian. /Shqiperia.ch/