
Përpara pak kohësh, trajneri Gerrard do ua bënte të qartë të gjithëve: “Kemi marrë një futbollist të ri, të talentuar dhe me shumë potencial. Eros Grezda quhet dhe të gjithë tifozët do të dashurohen me të”.
Nëse më parë kurioziteti i tifozëve të Rangersit për afrimin e shqiptarit do të ishte i lartë, atëherë pas deklaratës së trajnerit të tyre do të merrte një dimesion tjetër. Të gjithë kërkonin shqiptarin në fushën e lojës edhe pse ky i fundit, nuk është në formën fizike të duhur për shkak të dëmtimit që ka kaluar.
Mjaftojnë 40 minuta loje në Kupë dhe dashuria e tifozëve të Rangersit kundrejt Grezdës, lind në mënyrë të natyrshme. Talenti shqiptar nuk arriti të linte gjurme në realizimin apo ndihmën e një goli, në atë fitore me shifrat 4-0 ndaj Ayrit, por paraqitja e tij ka qenë e nivelit të lartë.
Tifozë dhe njerëz të ndryshëm, nëpërmjet “Twitterit” kanë lënë opinionet e tyre të para për Grezdën. “Çfarë shpejtësie, kur të kthehet në formën e tij më të mirë fizike, do të jetë problem për të gjithë kundërshtarët”, ishte ky vlerësimi i përgjithshëm për shqiptarin. /Shqipëria.ch/