Një përmbysje e çmendur kjo e ditës së sotme nga ana e Genkut, që ia doli me rezultatin 2-4 ndaj Antwerp në transfertë. Vendasit shënuan dy gola të shpejtë, për të krijuar idenë e një befasie ndaj Genkut, por reagimi i ekipit ku bën pjesë edhe Zhegrova, ka qenë i tillë që të përligj edhe pretendimet që ka kjo skuadër për të marrë kampionatin në Belgjikë.
Zhegrova është rikthyer pas dy muajsh pushim dhe lënie jashtë listës, që trajneri Klement i bëri si një leksion futbollistit shqiptar. Lojtari që bën pjesë te Kosova, ka arritur të zhvillojë lojën e tij të preferuar, ndërsa durimi i kundërshtarëve është sosur, aqsa Bolingi ka rrezikuar kartonin e kuq, pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Zhegrovës.
Sa i përket golit të barazimit të Genk, për të çuar shifrat përkohësisht në 2-2, ka ardhur një ndihmë nga VAR-i, ndërsa këta të fundit kanë parë një prekje me dorë në zonën e Antwerp duke akorduar 11-metërsh. Pas kësaj fitore, skuadra e Zhegrovës kryeson kampionatin në Belgjikë dhe hedh një kandidaturë serioze për t’u shpallur si kampion. /Shqiperia.ch/