Izraeli erdhi sërish në “Elbasan Arena” brenda pak kohësh, por historia e këtij takimi të vlefshëm për Ligën e Kombeve, nuk kishte asnjë të ngjashme me atë të eliminatoreve për Botërorin e Rusisë.
Dikur Izraeli na mundte me rezultatin 0-3, ndërsa në mbrëmjen e djeshme, predha e Taulant Xhakës përmbushi hakmarrjen e kuqezinjve. Dëshpërim dhe e rrëzuar moralisht, kjo ishte gjendja e kundërshtarëve tanë pas përfundimit të ndeshjes.
Në përfundimin e takimit, lojtarët izraelitë kanë shkuar në hotel, ndërsa nuk mund të heqin lehtësisht nga kujtesa të gjithë ato raste të humbura përballë Thomas Strakoshës. Një prej mediave izraelite, ka zbuluar edhe bisedën që është bërë mes lojtarëve të Izraelit, pas kthimit nga takimi i djeshëm.
“ Ne duhet të mësojmë 2-3 gjëra më shumë për të qenë fitimtarë. Ishte një humbje trishtuese. Duhet të shohim përpara tani. Kjo ndeshje kishte mundësi të përfundonte 4-4. Vuajtëm shumë edhe për shkak të fatit. Nuk e sheh çdo ditë Zahavin dhe Dabour që janë aq afër portës dhe nuk arrijnë dot të shënojnë”, ka qenë biseda e bërë mes disa futbollistëve të Izraelit pas përfundimit të ndeshjes. /Shqipëria.ch/