
Një foto e publikuar në rrjetet sociale nga Lorenco Insinje ka trembur tifozët e Napolit. Ai shfaqej përkrah Hysajt e Sepe, për të bërë ritin e zakonshëm të udhëtimeve, por këtë radhë mesazhi që e shoqëronte ka shkaktuar panik të mirëfilltë.
Në dy vitet e fundit, sa herë që Napoli udhëtonte me avion drejt një qyteti tjetër në Itali a Europë, në rrjetet sociale shfaqej gjithmonë një foto ku Insinje, Hysaj dhe Sepe gjendeshin përkrah njëri-tjetrit. Por foto e publikuar dje nga Insinje ishte ndryshe, pasi futbollisti i Napolit e ka cilësuar të fundit.
“Transferta e fundit bashkë, ju dua shumë”, ishte mesazhi i tij drejtuar dy shokëve të skuadrës. Vetë Insinje ka lënë të kuptohet se do të qëndrojë te Napoli në intervistat që ka dhënë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Hysajn që ka marrë shumë oferta si dhe për Sepe, i cili kërkon një skuadër ku të luajë rregullisht. Megjithatë, tifozët nuk janë ende të sigurt për qëndrimin e Insinjes dhe kjo foto është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale si mesazh lamtumirë.
Tifozët e shqetësuar i kanë kërkuar shpjegime fantazistit të skuadrës së tyre, duke detyruar këtë të fundit që pas pak orësh të ndryshonte mesazhin e tij. “Transferta e fundit E SEZONIT bashkë, ju dua shumë”, ishte teksti i ri. /vipsport.al/