Pak ditë më parë, klubi i Beshiktash mori një vendim të paprecedent, duke mos pranuar të zbriste në fushë për të vazhduar ndeshjen e ndërprerë ndaj Fenerbahçes në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë. Klubi argumentoi se nuk do të merrte pjesë në “lojëra politike” pas vendimit të Federatës Turke për të luajtur me dyer të mbyllura vazhdimin e ndeshjes së ndërprerë pasi trajneri Senol Gynesh u godit me një objekt nga tribuna.
Pasoja e vendimit të Beshiktashit ishte jo vetëm humbja në tavolinë e ndeshjes dhe kalimi në gjysmëfinale i Fenerbahçes, por edhe përjashtimi për sezonin e ardhshëm nga Kupa e Turqisë për klubin në fjalë. Klubi insiston se ka bërë gjënë e drejtë dhe se kishte argumente të forta për të mbështetur vendimin e tij. Ky argument i fortë ishte rregullorja ndërkombëtare dhe një rast që përfshinte skuadrën e Kukësit.
Bëhet fjalë për ndeshjen e famshme të vitit 2015 në Ligën e Europës, kur Kukësi u përball me polakët e Legias së Varshavës. Pasi një objekt i hedhur nga tribuna e stadiumit “Qemal Stafa” goditi një futbollist të skuadrës polake, Ondrej Duda, gjyqtari ndërpreu takimin në minutën e 52-të dhe më pas u vendos braktisja e ndeshjes. UEFA më pas vendosi që Kukësi të humbte 3-0 ndeshjen në tavolinë, të paguante një gjobë prej 70 mijë eurosh dhe të luante dy sezone pa praninë e tifozëve në Europë.
Pikërisht duke marrë shkas nga ky vendim, Beshiktashi apeloi atë të Federatës Turke për rifillimin e ndeshjes nga minuta e ndërprerjes, duke argumentuar se duhej aplikuar e njëjta masë si ajo që kishte vendosur UEFA.
Me të njëjtin argumentim, të siguruar nga VIP Sport, Beshiktash i është drejtuar tashmë edhe Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, duke bërë të qartë se “shembulli Kukësi” ishte i mjaftueshëm për të treguar se kishte të drejtë. /E.K./vipsport.al/