Fitorja ndaj Izraelit ia jep këtë luks Shqipërisë, një barazim në transfertë ndaj Skocisë, mund të quhet si një fitore me vete.
Kombëtarja ka arritur t’ia dalë në takimin e parë të Ligës së Kombeve, falë golit të Taulant Xhakës. Një fitore në ditën e nesërmë do i mbyllte thuajse të gjitha llogaritë për kryesimin e grupit, shumë përpara kohe, por për të qenë me këmbë në tokë, kuqezinjtë do të “luftojnë” për të dalë me 1 pikë nga Glasgou.
Panuçi e di më së miri këtë gjë, prandaj sipas të gjitha gjasave do ta nisë me 5 mbrojtës takimin nga minuta e parë, duke aktivizuar Veselin, Mavrajn, Gjimshitin, Binakun, por edhe Hysajn. Në momentet e kundërsulmit apo minutat që do të flasin në favorin tonë, kjo skemë interpretohet edhe me 3 mbrojtësa, pasi Binaku dhe Hysaj mund të avancojnë më shumë në krahun e tyre, për t’u kthyer në futbollin modern të ditëve të sotme. Binaku e tregoi edhe ndaj Izraelit dëshirën e tij të madhe për të qenë pjesë e aksioneve sulmuese të skuadrës, ndërsa edhe Hysaj nuk ka shumë vështirësi në këtë pjesë.
Në mesfushë nuk do të ketë vënde për ndryshime, përveç Gavazajt që e sheh veten në stol, më shtimin e një mbrojtësi më tepër nga ndeshja e fundit me Izraelin.
Ashtu siç pritej, një nga ndryshimet e pakëta do të jetë në sulm, teksa Bekim Balaj ka fituar deri më tani balotazhin ndaj Sidrit Gurit. /Shqipëria.ch/