Enea Mihaj ishte lojtari që u diskutua më së shumti në listën e bërë publike nga ana e Panuçit për takimet ndaj Izraelit dhe Skocisë për Ligën e Kombeve.
Kjo sigurisht vjen prej faktit se historia e mbrojtësit që luan me Panetolikos, ka pasur zhvillime të shumta. Futbollisti 20-vjeçar ishte në pritje të një ftese të mundshme nga Greqia, aqsa ka refuzuar 7 herë ftesën e kuqezinjve.
Por do të ishte këmbëngulja e vazhdueshme e teknikut italian, ajo që do të bindte Mihajn, për të veshur fanellën e Shqipërisë. Në një intervistë për “Telesport”, mbrojtësi i ri shprehet se ka ardhur te kuqezinjtë vetëm falë Panuçit, ndërsa kur bëhet fjalë për Greqinë dhe Shqipërinë, nuk ka vend për shumë ndryshime për të.
“Zgjodha të pranoj ftesën e Shqipërisë, pasi më pëlqen Christian Panucci. Mënyra se si ai është interesuar dhe më ka tentuar disa herë me radhë, pa u lodhur më bindi. Zgjodha të vij dhe t’i bashkohem kombëtares shqiptare. Një ndër arsyet kryesore ishte dhe trajneri ynë.
Unë nuk mund t’i ndryshoj gjërat. Jam lindur dhe rritur në Greqi dhe natyrisht ndihem më shumë grek. Babai dhe nëna ime kanë lindur në Shqipëri dhe për këtë arsye jam dhe shqiptar, vendi i origjinës time. Jam grek dhe shqiptar. Njësoj si të përfaqësoj Greqinë dhe Shqipërinë, për mua me rëndësi ka të luaj futboll dhe të bëj më të mirën time.
Ndikoi mënyra se si këmbënguli Shqipëria për të më marrë. Kam marrë rreth 7 ftesa nga kombëtarja kuqezi dhe më kanë kërkuar me ngulm. Nuk është se pranova ftesën se nuk më ftoi Greqia, e pranova se u binda nga dëshira e mirë për të më pasur në ekip”, ka thënë Mihaj. /Shqipëria.ch/