
Ljubisa Tumbakoviç ishte njeriu që mori gjithë vëmendjen e mediave europiane, pak orë para ndeshjes mes Malit të Zi dhe Kosovës. Trajneri me origjinë serbe, që drejtonte Malin e Zi, refuzoi të ishte në stol kundër dardanëve.
Kjo pasi kërcënime me jetë kishin ardhur nga vendlindja e tij, që e etiketonin si tradhëtar dhe nuk do ia falnin nëse do të ishte në detyrën e zakonshme edhe ndaj Kosovës. Fillimisht presioni po mbahej nga shpatullat e teknikut, por me afrimin e ndeshjes, ishte gjithmonë e më e pamundur.
Tumbakoviç dorëzoi vendimin te Federata Malazeze e Futbollit, duke nënshkruar në këtë mënyrë edhe shkarkimin e tij. Nga ana tjetër, serbët u turpëruan nga Ukraina me rezultatin 5-0 dhe trajneri i tyre do të shkarkohet.
Fillimisht u përfol se Tumbakoviç do të merrte si shpërblim në këtë mënyrë drejtimin e Serbisë. Por “Vijesti” raporton së fundmi se vendimi ka ndërruar dhe nuk do të bëhet e mundur kjo marrëveshje. Tumbakoviç tashmë është i qetë dhe fitoi vetëm jetën, por jo çelësat për drejtimin e Kombëtares së tij. /Shqiperia.ch/