Historia e Loret Sadikut duket të jetë kthyer në një telenovelë. Mbrojtësi më i pavendosur, vazhdon të ngelet mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Dardanët po e kërkojnë me ngulm në skuadër, por pengesë i është shfaqur FIFA. Organizmi më i lartë i futbollit, rikthekson faktin se një futbollist nuk mund të ndërrojë tre përfaqësuese. Panuçi i dërgoi futbollistit të Kasimpasas ftesë për ndeshjet e nëntorit, megjithëse nuk iu bashkua kuqezinjve. Sipas asaj që raporton “Insporti”, vetë FFK e ka shprehur sërish problemin që ndodhet në këtë çështje:
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se çështja e futbollistit Loret Sadiku, pjesë e skuadrës turke Kasimpasa, ende është në proces dhe ende nuk ka një vendim zyrtar nëse do t’i lejohet paraqitja me Kosovën në të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e FFK-së.
FIFA deri më tash ka refuzuar ta lejojë Sadikun të luajë për Kosovën, me arsyetimin se ka humbur mundësinë e ndërrimit të përfaqësueses kur ka bërë kërkesë që nga Suedia të kalojë te Shqipëria, mirëpo futbollisti në fjalë në fakt nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje me kombëtaren shqiptare”, përfundon FFK. /Shqiperia.ch/