
Sa shumë peripeci për Ergys Kaçen, duke nisur që nga momenti që ishte pjesë e Paok dhe zgjodhi Shqipërinë. Më parë të gjitha klubet elitare në Europë ishin rreshtuar për të marrë shërbimet e futbollistit të Kombëtares, por si me magji gjithçka ndryshoi brenda pak kohësh.
Kaçe nuk po aktivizohej më, ndërsa nisën edhe huazimet e tij të shumta vetëm për ta larguar nga skuadra. Pavarësisht këtyre situatave të pakëndshme, tashmë lojtari shqiptar mund të buzëqesh. Ai po i rikthehet momenteve të më mira të karrierës, duke shënuar nga distanca e largët dhe duke dhënë pasime magjike.
Panathinaikosi i ka shërbimet e tij deri në muajin qershor, më pas duhet të diskutojë me Paok se çfarë do të bëhet me fatin e lojtarit në fjalë. Në Greqi janë të binder se nëse gjërat shkojnë në këtë mënyrë, atëherë fëmija i çudirave nuk ka për t’u rikthyer më nga huazimi.
Në jetë asgjë nuk është e sigurtë, e për Kaçen janë edhe gjashtë muaj të tjerë që do të vendosin për fatin e tij. Nëse situata vazhdon në të njëjtën mënyrë, atëherë futbollistit të Shqipërisë do t’i ofrohet kontrata e jetës. Një kontratë me 4 vite do të paraqitet përpara tij, duke i dhënë një besim të jashtëzakonshëm për të rikthyer Panathinaikosin në momentet e arta. Nga ana tjetër, ky do të jetë edhe kulmi i Kaçes për të shënuar karrierën e tij. /Shqiperia.ch/