
Futbollistët shqiptarë kanë qenë me pikatore në mbrëmjen e sotme të “Europa League”. Pritej që në fillim që numri i tyre të ishte i pakët, duke parë momentin që ata po kalojnë, për arsye nga më të ndryshmet.
Grezda nuk ishte në formën e duhur, duke qëndruar në stol gjatë gjithë takimit me Vijarealin. Të njëjtin fat pati edhe Ansi Agolli, që po zëvendësohet jo vetëm në Kombëtare, por po projektohet largimi tij edhe në ekipin e Karabakut. Asnjë minutë për shqiptarin në humbjen ndaj Sportingut në transfertë me rezultatin 2-0.
Strakosha u la pushim nga ana e Inzaghit për takimin ndaj Apollonit, ndërsa Binaku pati vetëm 10 minuta aktivizimi në ndeshjen Genk-Malmo, që duhej të rezultonte edhe si një derbi shqiptarësh. Megjithatë nuk mund të ishte e tillë, sepse Zhegrova u la jashtë listës të së grumbulluarëve nga ana e ekipit belg.
Rrahmani luajti titullar për 90 minuta në fitoren e Dinamo Zagrebit ndaj gjigantëve turkë të Fenerbaçes, ndërsa goli i vetëm i një futbollisti shqiptarë, do të vlente 3 pikë dhe do të vinte në takimin AEK Larnca-Zurich.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 0-1, ndërsa nga pika e bardhë realizoi me sukses Benjamin Kololli, që është pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Në këtë takim ka luajtur nga minuta e parë për Zurihun edhe Hekuran Kryeziu. Sa i përket çështjes së Abazajt te Anderlehti, ajo është e mbyllur në Europë, pasi klubi belg nuk e ka marrë shqiptarin në listën e paraqitur për këtë kompeticion. /Shqipëria.ch/