Albian Ajeti, futbollisti kosovar që u ankua pak ditë më parë se nuk kishte marrë asnjëherë ftesë nga Shqipëria, duket se është nxituar!
Dokumenti i siguruar nga “Panorama Sport” zbulon se lojtari, njëkohësisht edhe vëlla i Arlind Ajetit, është pajisur me pasaportë shqiptare që në vitin 2015 me kërkesë të posaçme për procedura të përshpejtuara pikërisht nga FSHF.
“I nderuar Zoti Albian Ajeti. Në lidhje me kërkesën tuaj për dhënie të shtetësisë shqiptare, ju vëmë në dijeni se: Në mbështetje të nenit 92, në paragrafin (c) dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë si dhe të nenit 9, pika 7, e nenit 20 të ligjit nr. 8389 datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, me an të të dekretit nr. 9182 datë 15.07.2015, të Presidentit të Republikës, ju është miratuar dhënia e shtetësisë shqiptare” , shkruhet në dokumentin e siguruar nga “Panorama Sport”
Nuk është rasti i parë që pasi zgjedhin një kombëtare tjetër lojtarë të ndryshëm thonë se nuk morën ftesë nga FSHF! Albian Ajeti aktualisht është 21-vjeç dhe ka lindur në Bazel. Ai është aktivizuar më të gjitha ekipet e moshës së Zvicrës dhe së fundmi zgjodhi kombëtaren helvete, për të shkuar në Botëror, por u la jashtë nga trajneri.
Ai ishte në listën paraprake të Botërorit, por nuk u përzgjodh në atë përfundimtare. Në një deklaratë për mediat ai tha se nuk është thirrur kurrë nga Shqipëria por duket se ka dalë blof.
/Panoramasport