
Pas shumë kohëve të vështira në ndeshjet e fundit, për Shqipërinë vjen “Ylberi”, ai që në fanellë mbart emërtimin “Ramadani”.
Kokëulur, punëtor, kualitete të mëdha, i ri në moshë, i dashuruar pas vendit të tij dhe një model nga fillimi e deri në fund. Çfarë mund të kërkojë Panuçi dhe Shqipëria më shumë për të ardhmen dhe mesfushën e saj? Ndoshta shumë, ndoshta asgjë, sepse lojtarët i ka në gjirin e saj.
Njëri prej tyre është edhe Ylber Ramadani. Në një intervistë eskluzive për “Shqipëria.ch”, mesfushori i talentuar ka folur pas takimit të djeshëm, ku ishte edhe protagonist në fitoren e Vejles me shifrat 1-0 ndaj Elfsborgut. Asisti i shqiptarit do të vendoste fatin e takimit, ndërsa përkrah tij luajti edhe një tjetër futbollist i Shpresave, po kaq i talentuar, Arbnor Mucolli.
“U ndjeva shumë mirë sepse fituam në kampionat dhe kjo fitore na shërben për vazhdimësinë. Na vlente që t’i merrnim 3 pikët, për të vazhduar më përpara. Gjithashtu është kënaqësi e madhe, që fituam me asistin tim. Trajneri Sormani erdhi dhe më përqafoj menjëherë. Më kërkoi të vazhdoja kështu.
Përkrah meje ishte edhe futbollisti tjetër shqiptar, Arbnor Mucolli. U ndieva mirë me të, sepse është shqiptar dhe është lojtar fantastik. Me mua kombinohet shumë mirë në fushën e lojës. Nëse ai vazhdon kështu, me kokën gjithmonë të ulur, do të arrijë shumë lartë.
Nuk ka rëndësi nëse unë do të jem me Kombëtaren A apo Shpresat, vlera e tyre për mua është e njëjtë. E rëndësishme është që unë të jap gjithmonë maksimumin dhe do të jem gati në të gjithë rastet kur Shqipëria të ketë nevojë për mua.
Panuçi është një trajner shumë i mirë dhe me vlera të mëdha, megjithëse secili trajner ka filozofinë dhe mënyrën e tij të lojës” , është shprehur Ylber Ramadani. /K.N- Shqipëria.ch/