
Në vitet më të hershme, lojtari që ka bërë gjithmonë dallimin te të rinjtë e Shqipërisë U-21, ishte Mërgim Vojvoda. Ky i fundit ishte më i preferuari te tifozët shqiptarë, teksa krahu i djathtë ofronte siguri të madhe tek Shpresat.
Megjithëse mund të humbisnim, lojtarë të tillë premtonin për të ardhmen. Por rruga e Vojvodës me Shqipërinë do të ndahej, teksa mbrojtësi do t’i bashkohej Kosovës.
Teoritë konspirative shpreheshin se ky vendim për të lënë fanellën e kuqezinjve, erdhi sepse në krahun e djathtë gjendej Elseid Hysaj. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, vëllai i Mërgimit, Gazmend Vojvoda, ka folur edhe në lidhje me këto zëra.
“Situata e Mërgimit në Belgjikë është shumë e mirë, pasi në të 3-tin sezon është duke luajtur për Mouscron në Jupiler Pro League në Belgjikë. Tashmë është shumë afër ndeshjes së 100 profesionale. Dëshira është që të lëviz sa më lartë në Europë dhe të arrihet sa më lartë, megjithëse ofertat nuk mungojnë kohët e fundit.
Vendimi për ta lënë Shqipërinë nuk ka qenë aspak e lehtë. Shpeshherë e kam lexuar që Vojvoda e la Shqipërinë për shkakun e Hysajt, pasi luajnë në të njëjtin pozicion. Nuk është aspak e vërtet, Mërgimi e la Shqipërinë me një akord të dy palëve dhe bisedimeve me Kosovën. Duke parë situatën që ishte te Kosova në formimin e tyre, u ndie i detyruar për ta ndihmuar. Sigurisht, duke marrë parasysh faktin se Shqipëria e Kosova janë një, duke ndihmuar për njëra-tjetrën. Nuk ishte e lehtë, por detyrim për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Kosovën.
Suksesi i Kosovës nga ana tjetër është puna e madhe e të ndjerit Fadil Vokrrit dhe themeli i Bunjakut, që tashmë po vazhdon në drejtimin e Shaland. Ky i fundit ka cilësi të larta dhe e përgatit gjithmonë ndeshjen në mënyrën më të mirë”, u shpreh vëllai i Mërgim Vojvodës. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/