You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Trajneri i Lokomotivës së Zagrebit: Uzunin vendose ku të duash, në kokën e tij vetëm futbolli

Ekskluzive/ Trajneri i Lokomotivës së Zagrebit: Uzunin vendose ku të duash, në kokën e tij vetëm futbolli

Myrto Uzuni është një nga futbollistët shqiptarë më në zë gjatë kohëve të fundit, teksa paraqitjet e tij me Lokomotivën e Zagrebit dhe Shqipërinë, kanë qenë në nivelet më të larta.

Të gjithë të habitur e me të njëjtën pyetje që i drejtojnë vetvetes: “Po ky lojtar, nga na doli”? Faktikisht, nuk ka edhe shumë për t’u çuditur, pasi pjesë e Laçit ka qenë deri para pak kohësh. Tashmë Uzuni po konfirmon talentin dhe cilësitë që zotëron, në elitën e futbollit kroat, për të dërguar figurën e Shqipërisë sa më lartë të mundet. Festimi i parë me shqiponjë ka ardhur në kampionat, ndërsa shumë të tjera priten me kalimin e kohëve.

Vlerësimin më të madh për këtë lojtar, e ka vetë trajneri i tij te Zagrebi, Goran Tomiç. Në një intervistë ekskluzive dhënë për “Shqiperia.ch”, Tomiç shprehet se kombëtarja shqiptare ka fituar një lojtar që mund të luajë në të gjitha pozicionet në fushën e lojës, sa i përket pjesës sulmuese.

Kur e morrët fillimisht Uzunin, e kishit projektuar si një lojtar të rëndësishëm për projektin tuaj apo ky vendim erdhi me kohën?

Përpara se ta merrnim Uzunin, ne i kishim parë ndeshjet e tij. Besnik Prenga ishte trajneri i tij te Laçi, kështu që na dha të gjitha informacionet e nevojshme për të, më saktësisht për karakterin e lojtarit. Prandaj që në momentin që nënshkruam me të, e kishim planifikuar si një lojtar të rëndësishëm për klubin tonë.

Cila është cilësia që iu ka bërë përshtypje më tepër tek ky lojtar dhe si e vlerëson paraqitjen e tij deri në këto momente?

Unë i dija shumë mirë aftësitë e tij si lojtar, por ajo që më surprizoi më shumë ishte karakteri i tij. Unë i pëlqej ata njerëz që punojnë shumë dhe janë të qetë. Në kokën e tij është vetëm futbolli dhe këta janë lojtarët që dëshirohen më shumë te Lokomotiva e Zagrebit. Deri tani ka luajtur vërtet shumë mirë me skuadrën tonë, ngelet të shpresojmë të vazhdojë kështu, për të bërë edhe më mirë.

Uzuni merr ftesë nga Shqipëria, pasi kthehet lojtar protagonist me Zagrebin. Çfarë ka fituar trajneri Panuçi dhe kombëtarja shqiptare me këtë lojtar, në bazë të njohurive të tua?

Jam shumë i lumtur që Uzuni ka marrë ftesë nga Shqipëria. Është shumë e rëndësishme për të dhe klubin tonë. Unë jam i sigurtë që do i sjell më tepër kualitet sulmit tuaj, sepse flasim për një lojtar që luan në të gjitha pozicionet e sulmit që t’i e vendos, pa asnjë problem të vetëm.

Disa skautë të Fiorentinës kanë qenë të pranishëm në ndeshjet e Shqipërisë për Uzunin. E ndieni “kërcënimin” e një largimi të mundshëm?

Jemi mësuar tashmë që lojtarët tanë të ndiqen nga skautë të ndryshëm nga e gjithë Europa. Unë nuk jam i shqetësuar për një largim të mundshëm të Uzunit, pasi ai sapo na është bashkuar dhe i duhet të qendrojë më shumë kohë në Kroaci. Nuk ka vend për t’u nxituar.

Pas shënimit të golit me Lokomotivën, Uzuni ka ardhur menjëherë të festojë me ju. Do të dëshironim të dinim, si janë marrëdhëniet tuaja me lojtarët?

Unë gjithmonë vendos marrëdhënie të mira me lojtarët, këtë gjë e kam bërë edhe me Uzunin. Të gjithë futbollistët po mundohen që ta ndihmojnë atë, për t’u ndierë sa më mirë në këtë aventurë të re në Zagreb.

Sa të ardhme shihni te futbolli shqiptar dhe te kombëtarja shqiptare, me aq sa keni dëgjuar për ne deri tani?

Gjithmonë i kam respektuar futbollistët shqiptarë. Nuk është hera e parë që bashkëpunoj me ta, pasi më parë këtë gjë e kam bërë me Shehun dhe Metën, në kohën kur ishim te HNK Sibenik. Lojtarë të mëdhenj dhe me shumë personalitet. E ardhmja e Shqipërisë? Sigurisht, shumë pozitive. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top