
Thuhet se kampionët lindin të tillë, nuk mund të bëhen gjatë një rrugëtim jetësor. Për këtë të dytën ka ende dyshime, ndërsa Igli Tare është një person që i përket vetëm historisë, në kohë të ndryshme dhe në pozita të ndryshme.
Një njeri i cili ka lindur për të bërë vetëm arritje dhe për t’i dhënë Shqipërisë aq shumë sukses. Në kohën kur ishte futbollist, të gjithë krenoheshim në arenën europiane me një lojtarë si Tare, ndërsa shpeshherë golat e tij me Kombëtare, ngrinin peshë gjithë tifozët kuqezinjë, që asokohe stërmbushnin stadiumin.
Sot detyra e tij ndryshon disi në strukturë, por jo qëllimin e saj. Igli Tare është drejtori sportiv i Lacios, ndërsa nëse kryeqytetasit kanë pasur gjithmonë shqiptarë në klubin e tyre, atëherë një dorë vjen edhe nga drejtori sportiv. Në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria.ch”, Tare ka folur për Kombëtaren në prag të dy ndeshjeve që do të zhvillohen në tetor, përkatësisht ndaj Jordanisë dhe Izraelit.
Dy karriera që janë të së njëjtës lartësi mes njera-tjetrës. Ku e gjen Igli veten më mirë, si sportist apo si drejtor sportiv?
Ajo që unë mund të them, është se të dy këto profesione, kanë të bukurën e tyre. Më pas nëse do të flasim për veçanti, atëherë detyra e drejtorit sportive, ka më shumë përgjegjësi profesionale.
Te Lacio ka një minierë ari, teksa lojtarë që merren për pak para, shiten me shifra “të çmendura”. Kur e ke zbuluar aftësinë e një nuhatje kaq të mirë në gjetjen e lojtarëve?
Për kohën se kur e kam zbuluar këtë aftësi, nuk mundet ta them. Megjithatë, kjo cilësi është shumë e rëndësishme në detyrën aktuale që unë kam në klubin e Lacios.
Përpara shumë kohësh, shpreheshe se sa herë që disa miqtë vijnë te zyra jote, i tregon me krenari ndeshjen ndaj Greqisë. Vazhdon të bësh të njëjtën gjë?
Nuk e di se nga ka dalë një gjë e tillë, por nuk është e vërtetë. Thjeshtë kam thënë që fitorja ndaj Greqisë, për mua ka qenë më e bukura, jam përgjigjur për atë ndeshje.
Shumë polemika dhe aludime të mediave në Shqipëri për një këshillë tuajën kundrejt Hysajt. A mendoni se ky lojtar ka dallim te Kombëtarja nga loja me Napolin?
Hysaj është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares dhe si i tillë ka përgjegjësinë për ta treguar atë në fushë. Ai duhet të mësohet me këtë rol të rëndësishëm që ka te Shqipëria.
Të gjithë kritikojnë vetëm Panuçin. A është ai fajtori i vetëm i këtij momenti?
Panuçi ka shumë punë për të bërë, mbi të gjitha të formojë atë grupin e duhur dhe ta konsolidojë atë. Për ta bërë këtë gjë, ka nevojë për besimin e ambientit. Por edhe ai duhet ta kuptoj ambientin dhe të krijoj një atmosferë të mirë brenda për brenda Kombëtares, gjë që nuk e shikojë për momentin.
Shihni diferencë të madhe mes kampionatit shqiptar dhe atij europian? Pasi shumë futbollistë, marrin ftesën pasi largohen nga Superiorja.
Për fat të keq, diferenca mes futbollit shqiptar dhe atij europian ngelet e madhe. /Klaudio Ndreca- Shqipëria.ch/