
Kohët kalojnë shpejtë dhe Shqipëria do të rikthehet sërish në fushën e blertë. Këtë herë jo më për një turne si “Liga e Kombeve”, por për provën e vërtetë të kualifikueseve të Europianit. Si triumfin më të madh të marrë nga eksperienca e shkuar, Panuçi ka padyshim zbulimin e Ismajlit dhe Uzunit.
Të dy këta futbollistë dukeshin si të kishin një jetë në fushën e blertë, megjithëse bëhej fjalë për ndeshjet e para me Shqipërinë. Tashmë te lokali i Myrto Uzunit që zotërohet nga familjarët e tij në Uznovë, kanë vendosur një ofertë të veçantë për takimin ndaj Turqisë.
Nëse një gol do të vijë nga ana e sulmuesit shqiptar, atëherë çdo klient do të marrë 3 pije falas. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në takimet e fundit në këtë lokal, megjithëse flitej vetëm për 1 pije. Rëndësia e përballjes me Turqinë është shumë herë më e madhe, ndërsa vetë Uzuni duhet të rezervohet paksa me shënimet e tij, pasi llogaria e lokalit nuk do të dilte edhe aq e mirë në fundin e mbrëmjes nëse nga ky lojtar realizohen 2 gola. /Shqiperia.ch/