You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Rraklli: I kërkojmë shqiptarët edhe në “Honolulu”, Panuçi hiqet kampion bote edhe si trajner

Ekskluzive/ Rraklli: I kërkojmë shqiptarët edhe në “Honolulu”, Panuçi hiqet kampion bote edhe si trajner

Kombëtarja shqiptare do të luajë një takim të rëndësishëm në mbrëmjen e sotme, atje ku do të përballet ndaj Turqisë në kualifikueset e Europianit. Këto nuk janë momentet më të mira të Kombëtares dhe për të kërkuar një ndihmë në situatën e vështirë, “garda e vjetër” i di përgjigjet.

“Shqiperia.ch” ka kontaktuar një legjendë të Kombëtares dhe futbollit të Shqipërisë, Altin Rrakllin. Një emër ky që lidhet ngushtësisht me fanellën dhe stemën e kuqezinjve tanë. Këshilla numër një: “Nëse e mbani mendjen te miqësorja e fituar ndaj Turqisë, dilni vetë nga fusha më mirë”.

Por jo vetëm kaq, Rraklli ka folur më në veçanti edhe për situata dhe çështje të ndryshme që kanë shpërthyer në kombëtaren shqiptare.

Altin, si të duket gjendja aktuale e Shqipërisë dhe atmosferës që mbizotëron, nisur edhe nga ndikimi i takimeve të shkuara?

Nëse i referohemi ndeshjeve të shkuara, atëherë nuk jemi me bilanc të mirë, pasi nuk flasin për ne. Por ka një gjë në futboll, nisur edhe nga eksperienca personale. Kur ka shumë halle mbi shpatulla, zakonisht del edhe një ndeshje e jashtëzakonshme. Do të jetë shumë e vështirë, por shpresa vdes e fundit.

E kemi mundur njëherë me Panuçin këtë rival. E përsërisim prapë me Turqinë?

Nëse e kemi mendjen akoma te ajo miqësore e fituar, atëherë ndeshja është mbyllur. Le të marrim humbjen dhe të mos futemi në fushë, nëse lojtarët mendojnë ende për atë miqësore. Këtë e kemi vuajtur edhe vetë ne më parë ndaj Turqisë, që ka “dy fytyra” në miqësore dhe takime zyrtare.

Islandë apo Turqi? Kush është më e rrezikshme dhe a mund t’i lëmë pas të dyja?

Shiko, në vitet e fundit Islanda ka një zhvillim të jashtëzakonshëm. Ata japin edhe shpirtin në fushë. Për më tepër që Shqipëria ka pasur thuajse gjithmonë probleme ndaj rivalëve si Islanda, që luajnë shumë fizikisht. Pra nëse krahasojmë Islandën dhe Turqinë, janë dy kundërshtarë të ndryshëm, që edhe unë nuk mund të them se njëra është më mirë se tjetra. Por nëse Shqipëria do t’i mposht ato, atëherë duhet të jetë në maksimumin e saj.

Po sa i përket trajneri Panuçi. E lehtë të flitet pas ndeshjeve, por duam një parashikim nga ju. Si do të paraqitet në këto kualifikuese?

Nuk më pëlqen të flas shumë për punën e trajnerit, sepse kam qënë edhe vetë në atë pozicion. Por më duhet ta them se mënyra sesi ai po e menaxhon situatën, nuk më pëlqen. Pra marrëdhëniet me lojtarët, median, tifozët.  Ka qënë kampion bote si lojtar dhe mendon se është kampion bote edhe si trajner. I mungon disi rafinesa. Vetëm nëse ka ndryshuar tani, por e pashë edhe konferencën e shpalljes së listës dhe ishte i njëjti.

Ke qënë edhe vetë trajner. Sa e vështirë të punohet në Shqipëri dhe gjëja e parë që duhet ndryshuar?

Aty janë pafundësisht gjëra për t’u ndryshuar, saqë nuk di se nga t’ia filloj.

Më kryesorja?

Më kryesorja është që futbolli duhet të shihet si argëtim, jo përleshje. Brenda është luftë për futbollistët, por aty përjetohet sikur po luajnë dy kundërshtarë që kanë hasmëri me njëri-tjetrin.

Rasti i Lenjanit që plasi në Kombëtare. Mendimi yt?

Nuk e di saktësisht arsyen e këtij shpërthimi të Lenjanit. Ai luan titullar gjithmonë në ekipin e tij në Zvicër dhe Panuçi nuk e grumbullon. Por nëse Lenjani e ka gjithë mllëfin për këtë mosgrumbullim, atëherë është nxituar. Megjithatë mund edhe ta ndiejë edhe veten si të përbuzur nga trajneri prej një kohe të gjatë, pra nuk kemi dijeni të saktë. Gjithsesi, Lenjanit do i shmangia detajet që jep në atë shpërthim.

Strakosha gjithashtu pati një çështje te Shqipëria…

Pak a shumë e njëjta gjë, për mungesën e informacionit. Te Strakosha nuk kuptohet nëse lojtari nuk e ka kapur dot avionin për vonesë në trafik, apo se e ka neglizhuar me mendjen se është i pazëvendësueshëm. Nëse është kjo e fundit, atëherë trajneri ka vepruar mirë. Megjithatë mund të kalonte fare mirë edhe me një vërejte si rast.

Futbollistët shqiptarë që zgjedhin Greqinë. Përse kjo tendencë?

Unë them se nuk duhet të drejtojmë gishtin gjithmonë te lojtarët. Ndonjëherë është mirë të mbajmë edhe përgjegjësitë tona. Ne duhet të punojmë më mirë për zbulimin e talenteve. Kjo pasi këta lojtarë po i bën të ndihen të sigurtë projekti që po i shpalos një vend tjetër.

Pikasjet e talenteve të Shqipërisë, e dërguan Panuçin në Argjentinë. Guidara po tentohet, ndërsa pak dinte se ku i binte vendi ynë në hartë. Duhet një gjë e tillë?

Po kërkohet deri në “Honolulu” për të gjetur shqiptarë.(Qesh) Nëse janë lojtarë cilësorë, atëherë dera është e hapur dhe përse jo.

Në fund, një mendim i juaji edhe për Kosovën. Tashmë u dëshmua se nuk bëhet fjalë për rastësi apo jo?

Kosova ka lojtarë të mrekullueshëm. Janë 4-5 lojtarë të tyre që do kishin ardhur me Shqipërinë para ca vitesh, por nuk i kemi vlerësuar në mënyrën e duhur. Të gjithë ata tani luajnë në nivelet më të lartë europiane. /Klaudio Ndreca-Shqiperia.ch/

 

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top