You are here
Home > Kombëtarja > Ekskluzive/ Prenga flet për Kombëtaren: Panuçi i egër? Do u duken si lojëra, nëse shihni Murinjon

Ekskluzive/ Prenga flet për Kombëtaren: Panuçi i egër? Do u duken si lojëra, nëse shihni Murinjon

Doni të dini formulën e suksesit sesi Shqipëria mund të bëhet në çdo fushë të jetës? Shqiptarët e larguar herët në vëndet europiane, mund të rikthehen dhe të japin gjithë kontributin dhe eksperiencën e marrë nga jashtë, në të mirë të vendit tonë. Nëse në ndonjë moment të caktuar i afrohemi kësaj pike, atëherë gjëra të mira do të vijnë.

Këtë e provoi në fushën e sportit edhe trajneri i njohur, Besnik Prenga. Sa shumë vite larg Shqipërisë, për një moment Prenga erdhi nga Zagrebi, për të ndihmuar Laçin që gjendej pa trajner. Koha nuk premtonte, ndërsa kurbinasit do të luanin në ndeshjet e Europës. Me “fëmijët e tmerrshëm” në gjendje, Laçi bëri befasinë e madhe duke larguar ekipin qipriot të Anorthios.

Kaq mjaftoi dhe shkëndija erdhi, Prenga e bëri menjëherë diferencën në drejtimin e skuadrës shqiptare. Më pas u largua sërish drejt Zagrebit, për të vazhduar më ekipin ku gjendet sot edhe Myrto Uzuni, Lokomotivën e Zagrebit.

Në një intervistë ekskluzive për “Shqiperia.ch”, Prenga flet për gjithçka, duke nisur nga aventura e tij, zbulimi më i fundit i Shqipërisë, Kombëtarja dhe Panuçi.

Pas një eksperience të bukur, por të shkurtër me Laçin. Si vazhdon karriera juaj dhe cilat janë objektivat për vazhdimësinë?

Me të vërtetë ishte një eksperiencë e shkurtër, por shumë e bukur. Punova me djem të mrekullushëm dhe me karakter të fortë, një staf të përkushtueshëm, president që jetonte 24 orë vetëm me futbollin, gjithashtu pa harruar tifozerin e zjarrtë.

Momentalisht deri në fund të vitit jam skaut i klubit të Lokomotivës së Zagrebit, ku qëllimi është gjetja e talenteve të reja, si në Kroaci dhe jashtë Kroacisë. Megjithatë une jam trajner dhe së shpejti do punoj përsëri në detyrë time sepse ky është pasioni dhe dashuria ime. Ne fushë ndihem më mirë se kudo.

Çfarë do të kujtosh më së shumti nga ajo eksperiencë e pakët e kaluar me kurbinasit? Çfarë vlerësoni te Superiorja?

Nga ajo eksperiencë që kalova te Laci, do të veçoja momentin kur ekipi u kualifikua në turin tjetër në Europa League. Mendoj se kampionati shqiptar ka si anë pozitive rivalitetin, pasi janë shumë skuadra me cilësi të njëjta ose të përafërta që me të drejtë mendojnë që mund ta fitojnë titullin kampion.

Nuk kaluan as dy ditë, ashtu siç e ke pohuar edhe vetë, duke telefonuar Lokomotivën e Zagrebit për lojtarin perfekt. Çfarë tërhiqte vëmendje në rastin e Myrto Uzunit?

E vërtetë që ditën e dytë në Laç pasi fola me drejtorin e klubit(Kleo) dhe presidentin e klubit te Laçit, vendosa të kontaktoj klubin tim të Lokomotivës, ku i afrova dhe i sigurova se kemi një futbollist (Uzuni), që ishte i aftë të ngrinte nivelin e lojës së  Lokomotivës.

E kisha parë Uzunin dhe në finale të Kupës së Shqiperisë dhe isha i sigurtë te cilësitë e tij. Megjithatë kur pashë që ishte një djale i urtë dhe punëtor vendosa të garantoj për të.  Duke qenë se shumica e lojtarëve të Lokomotivës kanë qenë lojtarët e mi te U-19, e dija që Uzuni është lojtari që na mungonte dhe nuk gabova. Nga kjo marrëveshje dolën të fituar të gjithë, klubi i Lokomotivës, klubi Laçit, vetë lojtari, por edhe ekipi kombetar i Shqiperisë.

Hapa të mëdhenj ka hedhur Uzuni brenda pak kohësh, ndërsa skautë të Fiorentinës e ndoqën më nga afër. Çfarë sygjerimesh i jepni lojtarit në fjalë për të ardhmen?

Lokomotiva si klub, por edhe kampionati kroat është një trampolinë e mirë për të gjithë futbollistët shqiptarë, e sidomos për Uzunin në veçanti. Menjëherë ai tërhoqi vëmendjen e  shumë skautëve dhe menaxherëve nga klubet europiane që ndjekin kampionatin kroat. E rëndësishme është që Uzuni të vazhdojë të stërvitet mirë dhe mos ta ketë mendjen diku tjetër, por vetëm te klubi tij Lokomotiva. Duhet të jap maksimumin e të ndihmojë që edhe Shqipëria të kualifikohet në kampionatin Europian 2020.

Diçka duket se ka fituar edhe kombëtarja shqiptare me afrimin e tij. Si iu është dukur paraqitja e grupit të Panuçit së fundmi?

Me Uzunin Kombëtarja ka fituar lojtarin që i mungonte. Ai di të shënojë, të asistoj, por edhe është ai që punon dhe vrapon shumë për ekipin. Uzuni është i veçantë. Përgëzime Panuçi për ftesën dhe përkrahjen që po i jep Uzunit.

Mendoj që Shqipëria e Panuçit është më sulmuese se e paraardhësit të tij. Ka elemente të ri me shumë në skuadër. Mendoj që rezultatet kanë qenë më të dobëta sesa loja, kjo për arsye të dëmtimeve të sulmuesëve kryesorë.

Në Shqipëri i janë përveshur të gjithë trajnerit italian, ndërsa në konferenca ironitë dhe thumbimet janë të përhershme. A është kjo praktikë pune e ndjekur gjithkund, apo ndihet më shumë në vendin tonë?

Përsa i përket mardhënieve me shtypin, kur shikojmë Mourinhon sesi sillet me mediat, këto të Panuçit janë si lojëra. Mendoj që Panuçi duhet përkrahur sepse vetëm ashtu i ndihmojmë ekipit kombëtar të shkoj në europian.

Mendoni se kampionati shqiptar ka lojtarë të tjerë me potencial dhe sa dallime ka mënyra e stërvitjes mes Shqipërisë e Kroacisë?

Kampionati shqiptar mendoj që ka lojtarë të tjerë të talentuar që në verë mund të transferohen  drejt perëndimit dhe këtu nuk do doja të përmend emra. Gjithsesi është rritur shumë niveli i stërvitjes në Shqipëri. E rëndësishme është niveli dhe cilësia e kampionatit, që klubet të shesin lojtarë jashtë Shqipërisë në kampionatet cilësore.

A ndoshta është koha që të lihet politika e trajnerve të huaj për Kombëtaren, por t’i besohet drejtimi teknikëve shqiptarë të formuar në shkollat europiane?

Mendoj që praktika e ndjekur nga Duka, që në stol të ekipit kombëtar të jetë një trajner i huaj, ka dhënë rezultate dhe nuk mendoj se duhet ndryshuar. /Klaudio Ndreca- Shqiperia.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: G453645282@gmail.com

Leave a Reply

Top