You are here
Home > Futbolli Shqiptar > Ekskluzive/ Plisat: Udhëtuam malit në borë me -25°, pamë vdekjen me sy për Kombëtaren

Ekskluzive/ Plisat: Udhëtuam malit në borë me -25°, pamë vdekjen me sy për Kombëtaren

Për të nisur dhe për të rrëfyer një histori të tillë, fillimisht na duhej pak kohë për të mbledhur veten. Si gjithmonë në Shqipërinë tonë të dashur e të vogël, megjithëse për ne është aq shumë e madhe, ndodhin padrejtësi të po së njëjtës përmasa.

Puna vjen nga një krahë, zhurma nga tjetri. Dashuria dhe sakrifica vjen nga një krahë, jehona për zotërimin e tyre nga tjetri. Në kushte të tilla, mund të thuhet lehtësisht se atdheu i ka njerëzit që e duan dhe i shkojnë përshtat historisë së tij të lashtë, por janë qeveritarët ata që duhet të heqin dorë nga dëmi në kurriz të shqiptarëve.

Një histori e tillë si ajo që do të tregohet më poshtë, nuk është asgjë më shumë sesa një mesazh i fortë për të gjithë njerëzit që kanë pozitë dhe që kanë mundësi të ndryshojnë fatin e kësaj Shqipërie, për të kthyer vështrimin për një moment nga njerëzit që janë të gatshëm edhe të vdesin për të. Po po, të vdesin dhe me plotë kuptimin e fjalës. “Shqiperia.ch” sjell një pjesë të historisë rrënqethëse që na tregon kryetari i “Plisave” në mënyrë ekskluzive, Albert Kastrati, ndërsa pjesën tjetër të intervistës së plotë do e lexoni në mbrëmje në orën 23:30 në faqen tonë.

“Momente sakrificash për Kombëtaren ka shumë për ne. Njëri më i çmendur se tjetri, por i pari që më bie ndër mend, është ajo në ndeshjen e vitit 2005 kundër Ukrainës, në Tiranë. Ishte muaji shkurt dhe ishte tepër ftohtë. Disa nga anëtarët tanë kishin probleme me dokumentacionin prandaj vendosëm që të hymë në Shqipëri përmes malit. Dhe tani iu lutem vetëm që ta imagjinoni, një situatë të tillë.

E kalojmë kufirin përmes malit, temperatura minus 25 gradë celcius, bora mbi 1 metër e gjysmë, e ne nëpër një rrugë që nuk e dinim se ku të shpinte. U ndalëm në një bunker që të pushojmë pak, sepse e kishim gati të pamundur të vazhdonim për shkak të të ftohtit dhe borës. Për shkak se ishim të bllokuar, jemi detyruar që të dorëzohemi tek kufitarët e Shqipërisë. Kemi qenë të bindur se do të na arrestojnë, por kur na kanë parë se në çfarë gjendje ishim, ndodhi pikërisht e kundërta.

Ata nuk mund të besonin se çfarë po shihnin e se para syve kishin njerëz gati të ngrirë. Nuk po i besonin sesi kishim mundur t’u mbijetonim atyre kushteve, prandaj na morrën brenda në zyrë, na ngrohën, na ofruan pije e mbi të gjitha, na siguruan edhe transport deri në Tiranë. Pra, kemi qenë buzë vdekjes, por më besoni:  “Kjo nuk është çmenduria e vetme që e kemi bërë për Kombëtaren”, përfundoi kryetari i Plisave. /Klaudio Ndreca-Shqipëria.ch/

Postime të tjera


Nëse e vlerësoni punën e “Shqiperia.ch” si media e vetme e përkushtuar me lojtarët e Kombëtares dhe sportistët shqiptarë, mund të kontribuoni për zgjerimin e projektit dhe vazhdimësinë tonë në të ardhmen.
Paypal: [email protected]

Leave a Reply

Top